Takim elektoral brenda shkollës, gjobitet kryebashkiakja e Durrësit dhe drejtori i institucionit arsimor

28/04/2022 16:20

Kryebashkiakja e Durrësit, Emiriana Sako dhe drejtori i Shkollës “Armath” Vlash Doda janë gjobitur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, për një takim elektoral që kanë zhvilluar në ambientet e kësaj shkolle, gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet lokale të 6 marsit.

Shkeljen e Kodit Zgjedhor e ka denoncuar Qëndresa Qytetare. Sako u ndëshkua me 100 000 (njëqind mijë) lekë, ndërsa Vlash Doda me 5 000 (pesë mijë) lekë.

Ndërsa për shkeljet e pretenduara nga Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim në zgjedhjet e 6 marsit në Durrës, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve njoftoi për “moskonstatimin e shkeljes së dispozitave të ligjit”.

Njoftimi i KQZ-së:

Komisioneri shpalli vendimin për shqyrtimin administrativ të denoncimit të “Organizatës Qendresa Qytetare”, për shkelje të parashikuar në vendimin nr. 9, datë 24.12.2020 të Komisionit Rregullator në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, ndaj Drejtorit të Shkollës 9-Vjeçare “Armath” dhe kandidatit për kryetar bashkie në bashkinë Durrës zj. Emiriana Sako, propozuar nga subjekti zgjedhor “Partia Socialiste e Shqipërisë”.

Komisioneri vendosi sanksionin administrativ me gjobë ndaj Drejtorit të Shkollës 9-Vjeçare “Armath” z. Vlash Doda në shumën 5 000 (pesë mijë) lekë dhe sanksionin administrativ me gjobë ndaj kandidatit për kryetar bashkie në bashkinë Durrës, të propozuar nga subjekti zgjedhor “Partia Socialiste e Shqipërisë”, zj. Emiriana Sako në shumën 100 000 (njëqind mijë) lekë.

Ndërkohë, u shty shpallja e vendimit për shqyrtimin administrativ të denoncimit të subjektit zgjedhor “Partia Demokratike”, për shkelje të parashikuar në nenin 91, të ligjit nr. 10019, datë 29.12.2008, “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar si dhe në vendimin nr. 9, datë 24.12.2020 të Komisionit Rregullator, në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, ndaj bashkisë Rrogozhinë”.

Në seancën e sotme përfundoi shqyrtimi administrativ:

I denoncimit të Organizatës “Qendresa Qytetare”, për shkelje të parashikuar në vendimin nr. 9, datë 24.12.2020, të Komisionit Rregullator, në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, ndaj zj. Emiriana Sako, Autoritetit Portual Durrës, z. Klevis Hysa Drejtor i Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive, Rektorit të Universitetit “Aleksandër Moisiu”, Durrës dhe Partisë Socialiste të Shqipërisë”;

 

Top Channel