Presidenti Biden kërkon fonde të reja për Ukrainën dhe mekanizma ligjorë kundër oligarkëve

28/04/2022 16:11

Presidenti Joe Biden do t’i kërkojë të enjten Kongresit fonde të reja për të mbështetur ushtrinë e Ukrainës, si dhe miratimin e mekanizmave të rinj ligjorë për të ashpërsuar sanksionet dhe për të konfiskuar pronat e oligarkëve rusë.

Biden pritet të kërkojë fonde të konsiderueshme nga Kongresi për të ndihmuar Ukrainën t’i bëjë ballë agresionit rus, si dhe kompetenca të reja ligjore për të konfiskuar paratë e oligarkëve rusë dhe më pas për t’i dërguar ato në Ukrainë për të financuar përpjekjet e luftës.

Administrata do të kërkojë miratimin e të gjitha fondeve që parashikon se do t’i duhen deri në shtator, fundi i vitit fiskal, për të mbështetur operacionet ushtarake të Ukrainës, si dhe për ndihmën humanitare dhe ekonomike, tha të mërkurën zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki.

Presidenti Biden po paraqet gjithashtu një propozim që Kongresi të miratojë kompetenca të reja për administratën e tij, që do t’i lejonin zyrtarët amerikanë të sekuestronin më shumë prona të oligarkëve, t’ia jepnin paratë e mbledhura nga konfiskimet Ukrainës dhe të ashpërsonin masat kundër shmangies së sanksioneve, tha Shtëpia e Bardhë.

Mes masave të propozuara është që të autorizohet Departamenti i Drejtësisë të përdorë ligjin e rreptë amerikan kundër mashtrimit financiar, që në të kaluarën është përdorur kundër mafies, për të vënë para përgjegjësisë ata që shmangin sanksionet.

Presidenti Biden synon gjithashtu t’u japë prokurorëve më shumë kohë për të përgatitur çështje të tilla duke e zgjatur statutin e kufizimeve për ndjekjet penale për pastrimin e parave në 10 vjet, në vend të pesë, që është aktualisht. Ai gjithashtu kërkon ta bëjë vepër penale mbajtjen e parave të marra me vetëdije nga marrëdhënie korruptive me Rusinë, sipas një përmbledhjeje të propozimeve.

Masat janë pjesë e përpjekjeve të Shteteve të Bashkuara për të izoluar dhe dënuar Rusinë për agresionin e saj ndaj Ukrainës, si dhe për të ndihmuar Kievin të rimëkëmbet nga një luftë që i ka kthyer qytetet në gërmadha dhe ka detyruar më shumë se 5 milionë njerëz të lënë vendin.

Ndihma ushtarake amerikane për Ukrainën ka arritur në 3 miliardë dollarë, që kur Rusia nisi atë që ajo e cilëson “operacion special ushtarak” në Ukrainë. Kievi dhe aleatët e tij perëndimorë e quajnë këtë karakterizim, një pretekst të rremë.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre evropianë kanë ngrirë 30 miliardë dollarë prona të individëve të pasur të lidhur me presidentin rus Vladimir Putin, përfshirë jahte, helikopterë, pasuri të paluajtshme dhe vepra arti, ka thënë administrata e Presidentit Biden./ VOA

Top Channel