“Kush do ta besonte se Ballkani do të kishte 3 kryeministra shqiptarë?” Rama uron kryeministrin e ri malazez, Abazoviç

28/04/2022 20:26

Kryeministri Edi Rama ka uruar kryeministrin e sapozgjedhur të Malit të Zi, ndërsa thekson se tani rajoni ka tre liderë shqiptarë.

I lumtur që Dritan Abazoviç është nga sot kryeministri i Malit të Zi! Kush do ta kishte besuar dot deri dje se Ballkani me 6 shtete do të kishte 3 kryeministra shqiptarë. Na takon ne të japim provën si ndërtues të mirë urash për paqe mes të gjithëve e mirëqenie për të gjithë. Urime dhe sukses Dritanit, për Malin e Zi e për krejt rajonin tonë”, shkruan Rama në një status në rrjetin social “Facebook”.

Shpresëplotë se marrëdhëniet e shkëlqyera miqësore mes dy shteteve tona do të fuqizohen akoma më shumë në interes të popujve tanë, shkruan presidenti Ilir Meta, në urimin e tij:
“Urime të përzemërta dhe shumë suksese z.Dritan Abazoviç për zgjedhjen në detyrën e lartë të Kryeministrit të Malit të Zi. Shpresëplotë se marrëdhëniet e shkëlqyera miqësore mes dy shteteve tona do të fuqizohen akoma më shumë në interes të popujve tanë. Progresi i Malit të Zi dhe avancimi në proceset integruese janë shumë të rëndësishme për të gjithë shqiptarët që jetojnë atje, për të ardhmen e përbashkët europiane, si edhe për forcimin e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në rajonin tonë“.

Kuvendi zgjodhi këtë të enjte qeverinë e 43-të të Malit të Zi. Ballkani ka nga sot një kryeministër të tretë shqiptar.

Për zgjedhjen e qeverisë së re dhe miratimin e kryeministrit votuan 45 deputetë të mazhorancës së re, ndërsa kundër tre deputetë të SD-së.

Qeveria do të ketë 18 ministri dhe në përbërje ka edhe dy ministra shqiptarë. Abazoviç i ka besuar Ministrinë e Administratës Publike Marash Dukajt, ndërsa Ministria e të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave është propozuar për t’u drejtuar nga Fatmir Gjeka, i cili më herët ka drejtuar komunën e Ulqinit.

Top Channel