Astrit Patozi refuzon ftesën e Berishës për rikthim në PD: Ftesa qenka bërë në mes të natës, siç na larguan 5 vite më parë

28/04/2022 09:31

Ish-kryetari i partisë Bindja Demokratike, njëkohësisht edhe figurë e vjetër e PD-së, Astrit Patozi, ka refuzuar ftesën e Sali Berishër për rikthim në Partinë Demokratike.

Në një reagim në rrjetet sociale, Patozi, teksa ka “falenderuar” për ftesën, është shprehur se nuk është më në kërkim të një partie, e siç thotë ai “q më pak të atij lloji, që janë katandisur si mos më keq nga drejtimi i gabuar për një kohë të gjatë “.

Patozi kujton se ashtu siç e larguan pesë vite më parë në mes të natës pa votë dhe pa mbledhje, po në atë orë i ka ardhur ftesa.

Reagimi i Astrit Patozit:

Faleminderit, por nuk jam në kërkim…

Meqë më paska dalë emri mbrëmë dhe media është shprehur shumë e interesuar, e gjeta të udhës të jap një përgjigje të shkurtër.

Faleminderit, që na kujtojnë ende, por unë nuk jam në kërkim të ndonjë partie. Aq më pak të atij lloji, që janë katandisur si mos më keq nga drejtimi i gabuar për një kohë të gjatë dhe të pandërprerë.

Ndjehem shumë rehat sot me jetën dhe lirinë time, ndërkohë që për asnjë çast në këtë botë nuk kam menduar se politikë bëhet vetëm brenda një partie dhe vetëm rrotull një udhëheqësi legjendar dhe të pagabueshëm.

Por meqë ftesa verbale për “dasêm” qenka bërë pas mesit të natës, kujtoj se e njëjta gjë ka ndodhur edhe 5 vjet më parë, kur na larguan. Natyrisht, pa votë dhe pa mbledhje forumesh politike.

Të paktën, orën mund ta kishin ndërruar. Se në dorë vetë e kishin, si atëherë edhe tani.

Mbrëmjen e djeshme, pak para mesnatës, i pyetur nëse në listën e verifikimit do kishte emra që rikthehen në PD, Berisha tha:

Ka emra të tillë. Në këto lista është përshembull Arben Imami, Jozefina Topalli kthehet ex officio. Ka një ftesë në Kuvend për zonjën Bregu, edhe zoti Patozi, edhe Rudina Hajdari që u largua dhe u kthye. Të gjithë ata të cilët për një motiv a një tjetër u larguan janë të mirëpritur”.

Top Channel