I mandatuari për kryeministër të Malit të zi, Dritan Abazovic propozoi zyrtarisht  strukturën dhe përbërjen e Qeverisë, për të cilën deputetët do të vendosin në seancën e Kuvendit në Cetinje.

Ekzekutivi i ri do të ketë 18 ministri, katër zëvendëskryeministra dhe dy ministra pa portofol, siç ishte paralajmëruar më pare. Bie në sy propozimi për dy ministra shqiptarë, Fatmir Gjeka, i cili për dy vjet ka qenë kryetar bashkie i Ulqinit e do të mbajë postin e Ministrit për të Drejtat e Njeriu dhe të Pakicave dhe Marash Dukaj si Ministër i Administratës Publike.

Abazovic është shprehur më herët se Qeveria e tij do të ketë mbështetjen e 46 deputetëve, nga 81 sa ka gjithsej Kuvendi i Malit të Zi. Mbështetje parlamentare për këtë Qeveri ka paralajmëruar edhe Partia Demokratike e Socialistëve e presidentit malazez, Millo Gjukanovic, por pa pjesëmarrje në të. Shtylla e këtij ekzekutivi, i cili kundërshtohet fuqishëm nga Fronti Demokratik pro-serb dhe pro-rus, si dhe Demokratët – dy subjekte që kanë përbërë koalicionin e deritashëm qeveritar, do të jetë sipas Abazovicit, sundimi i ligjit dhe zhvillimi ekonomik.

Në tremujorin e parë të punës së Qeverisë së re, është planifikuar një projektligj për regjistrimin e popullsisë, në përputhje me standardet europiane, një cështje delikate kjo, për shkak se regjistrimi i popullsisë shkakton tensione në Mal të Zi, sepse për një pjesë të opinionit politik ai nuk është çështje statistikore, por çështje e regjistrimit kombëtar dhe fetar.

Qeveria e re pritet të zgjidhet gati tre muaj pas në parlamentin malazez u votua mocioni i mosbesimit ndaj Qeverisë së kryeministrit Zdravko Krivokapic, e krijuar dhjetorin e 2020-tës nga një koalicion midis Frontit Demokratik – pro serb – Demokratëve, dhe Lëvizjes URA. Dallimet e thella në qëndrime megjithatë mes partnerëve të koalicionit – disa pro-serbë, disa pro-evropianë – u shpërfaqën shumë shpejt, duke ndikuar edhe në vendimmarrje.

Top Channel