Kryetar i degës së PD-së në Shijak u rikonfirmua në krye të saj Rezeart Tusha.

Pas numërimit të votave,  Tusha arriti të sigurojë 240 vota, kundrejt 25 votave që mori kandidatja tjetër Blerina Shahini. Në këto zgjedhje pjesëmarrja e anëtarëve nuk qe e lartë, ndërsa rezultati i pritshëm.

Në total votuan 265 anëtarë. Këto zgjedhje u organizuan nga Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit të PD-së.

Procesi i votimit ka nisur në orën 08:00 dhe është mbyllur në orën 17:00.

Zgjedhjet sipas parimit një anëtar, një votë janë zhvilluar në disa nga degët e PD-së në vend, ndërsa pritet që procesi të përfundojë javën e ardhshme. Zgjedhja e kryetarëve të rinj është nismë e grupit të Rithemelimit që drejtohet nga Sali Berisha dhe që është kundërshtuar nga grupi tjetër që mbështet Enkelejd Alibeajn.

Vetë kryetari i komanduar i PD-së, Alibeaj është shprehur se në këtë mënyrë, Berisha po e thellon përçarjen në PD dhe nuk po kontribuon në bashkimin e partisë, ashtu sikurse ish-kryeministri pretendon.

Top Channel