Vijojnë sulmet në zonën lindore të Ukrainës, raportohet për viktima          

27/04/2022 17:52

Rajoni i Luhanskut, në Ukrainën lindore ka pasur sulme intensive gjatë 24 orëve të fundit, duke shkatërruar ndërtesa.

Kreu i administratës ushtarake rajonale, Serhiy Haidai tha se një grua vdiq në sulmet që goditën spitalin në Severodonetsk, një zonë e cila  ka pasur shkatërrime të vazhdueshme prej disa javësh.

“Rusët e dinin që spitali nuk ishte bosh, kishte pacientë në kushte të ndryshme me mjekë, kjo nuk i ndaloi. Shkatërrimi i ndërtesës është i konsiderueshëm, disa kate u dëmtuan menjëherë“, tha Haidai .

Sipas CNN në qytet janë dëgjuar breshëri të shpeshta artilerie, të cilat ishin rreth spitalit.

Sulmet kanë shkatërruar tubacionet e gazit në pjesën më të madhe të rajonit, ndërsa po punohet për riparimin e zonave të dëmtuara.

Kreu i administratës ushtarake të qytetit Popasna, Mykola Khanatov tha se situata atje është e tmerrshme, pikëlluese dhe e dhimbshme.

Në këtë zonë kanë mbetur të bllokuar rreth 2.000 njerëz, ndërsa evakuimi po bëhet në numër të paktë për shkak të rrezikut.

“Ende rreth 2.000 njerëz mbeten në Popasna. Ne po përpiqemi të organizojmë evakuimin çdo ditë. Ne evakuojmë rreth 50 njerëz çdo ditë. Por për fat të keq, ne kontrollojmë vetëm gjysmën e qytetit, gjysma tjetër është e pushtuar”, tha Khanatov.

Një ndërtesë nëntëkatëshe u shkatërrua e gjitha pas sulmeve ajrore mbrëmjen e djeshme, ndërsa vijon puna për  shpëtimin e banorëve. Tashmë zona ka mungesë të gazit, elektricitetit dhe ujit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA