Shtetet e Bashkuara ofruan të martën një shpërblim deri në 10 milionë dollarë për informacion mbi gjashtë persona që i përshkruan si oficerë të inteligjencës ushtarake ruse, të cilët kishin kryer sulme kibernetike që preknin infrastrukturën kritike të SHBA.
Gjashtë oficerët punojnë në një njësi kibernetike të Drejtorisë kryesore të Inteligjencës të Rusisë dhe janë përfshirë në një sulm global kibernetik në vitin 2017 që infektoi kompjuterët e disa entiteteve private të SHBA-së, duke përfshirë një sistem spitalor, tha Departamenti i Shtetit i SHBA.
Sulmi kibernetik “NotPetya” i vitit 2017 dëmtoi pjesë të infrastrukturës së Ukrainës dhe kompjuterët në vende anembanë globit duke përfshirë Francën, Gjermaninë, Italinë dhe Shtetet e Bashkuara, duke shkaktuar miliarda dollarë dëme.
Shpërblimi me 10 milionë dollarë do të jepet për këdo që ka informacionin që çon në “identifikimin ose vendndodhjen e çdo personi të kërkuar nga SHBA-ja.
Ndërkohë po të martën, Rusia liroi ish-marinsin amerikan Trevor Reed, i cili mbahej në paraburgim që nga viti 2019, në këmbim të pilotit rus Konstantin Yaroshenko, i cili po vuante një dënim 20-vjeçar në Shtetet e Bashkuara, tha ministria e jashtme e Rusisë.
Presidenti amerikan Joe Biden dhe Sekretari i Shtetit Antony Blinken përshëndetën lirimin e zotit Reed dhe thanë se po punonin për të liruar një tjetër shtetas amerikan që mbahet në Rusi, Paul Whelan.
30-vjeçari Reed nga Teksasi, u dënua në vitin 2019, pasi sipas akuzës ai kishte vënë nën rrezik jetën e dy policëve në Moskë ndërsa ishte në gjendje të dehur. Ndërsa rusi, Yaroshenko është një pilot i dënuar për konspiracion për kontrabandë kokaine. Ai u arrestua nga forcat speciale të SHBA në Liberi në vitin 2010.
Top Channel