Milaim Zeka në Top Talk: Idioteske të pretendosh ndërhyrjen e SHBA-së në agjendën e drejtësisë

27/04/2022 18:12

Një peticion kundër ambasadores amerikanë në Shqipëri Yuri Kim është shpërndarë në rrjetet sociale.

Në nismën ““Enough is enough” (“Mjaft është mjaft”), i kërkohet Departamentin Amerikanë të Shtetit, që t’i ndalojë ambasadores ndërhyrjen në punët e brendshme të vendit tonë, sidomos në politikën e brendshme të Partisë Demokratike, ku Kim është shprehur shpesh kundër Sali Berishës, i shpallur ‘non grata’ nga DASH.

Sipas analistit Milaim Zeka, ndërhyrja e ambasadores Kim në punën e PD-së është e tepruar, por pretendimet se ajo po ndërhyn në punën e organeve të drejtësisë në vendin tonë, ai i cilëson “idiotësi’.

Ambasadorja amerikane më ka befasuar te ndërhyrja e saj brenda për brenda Partisë Demokratike të Shqipërisë, duke e eliminuar vullnetin e anëtarëve të kësaj partie, që ata të zgjedhin me anë të votës së lirë se kush do të jetë lider i kësaj partie.

Ambasadorja mund të shprehë një preference politike për gjëra të tjera, por është çështje e saj, unë mendoj që nuk i takon ambasadores të ndërhyrë në partitë politike, ndërsa zërat që e kritikojnë se gjoja po ndërhyn te SPAK dhe Gjykata e Lartë, është idiotësi më vete”, shprehet Zeka në një intervistë për “Top Talk”.

Nëse këto vende kanë shpenzuar miliona e miliarda për të ndërtuar një sistem demokratik në Shqipëri e Kosovë, natyrisht që lejohet ndërhyrja e tyre, shprehet gazetari.

Sikur të mos e kemi këtë ndërhyrje nga amerikanët dhe europianët, Shqipëria do të bëhej një vend i terrorit, ku do të përndiqeshin të gjithë kundërshtarët politikë. Këtë e dimë nga vitet ’90 në Shqipëri, kur janë vrarë njerëzit dhe gazetarët në rrugë.

Po të mos jenë SHBA-ja dhe aleatët e tyre në Shqipëri, Greqia në vitin 1997 do të kishte ardhur në Vlorë, nëse nuk do të kishte bazë në Kosovë, Vuçiç do na shpërfillte totalisht. Historikisht, që nga viti 1919 e deri më sot, kombi shqiptar ekziston vetëm falë Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.

Por, a e justifikohet monitorimi i Shteteve të Bashkuara me mbrojtjen që i ofron vendit tonë?

Absolutisht po. E dimë që partitë politike në Shqipëri kanë pasur skuadra për eliminimin e kundërshtarëve politikë. Ne dimë që në momentin kur flet diçka keq kundër Sali Berishës, Ilir Metës e më pak nga socialistët, merr kërcënime. Unë e shoh dhe vetë kur komentoj në ‘Facebook’ marr ofendime nga më të ndryshmet, fyerje raciste.

Këto vitet e fundit, asnjë zyrtar i lartë i SHBA-së nuk e ka takuar Ilir Metën. Nuk duan ta takojnë për shkak të deklaratave dhe sjelljeve të tij”, përgjigjet analisti.

Sipas tij, “SPAK-u i famshëm, me të gjitha mangësitë që ka, do t’i shkojë arrestimeve deri në fund, do të kemi ndalime të niveleve më të larta në Shqipëri”.

Top Channel