Do të fokusohemi në aktivitetin kriminal të bandës “Hijet e Natës”, një aktivitet që zgjat prej rreth 15 vitesh.

Kohezioni për një kohë kaq të gjatë, është një prej treguesve të rëndësishëm që nxjerr në pah forcën e një prej grupeve më të rrezikshme shqiptare në grabitjen e bankave dhe kasafortave. Ndaj kësaj bande janë kryer të paktën 3 operacione të mëdha policore, 2 nga të cilat në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
“Unë do të konsideroja si grup në shkallën profesionale duke pasur parasysh që kishte targetuar në llojet të ndryshme grabitjesh që në vitin 2011” u shpreh eksperti i sigurisë, Fabian Zhilla.
Grupi është formësuar në vitin 2009 kur pjesëtarët u bashkuan në kuadër të një organizate grabitjesh seri. Nga Shkurti në dhjetor të atij viti banda ka kryer të paktën 10 grabitje në shuma të mëdha, kryesisht në biznese apo banesa biznesmenësh.
Ngjarja e parë që shënon identifikimin në kuadër të një grupi të strukturuar për “Hijet e Natës” daton në 20 Shkurt të vitit 2009. Mëngjesin e asaj dite, punëtori i një pike lojrash fati përballë Gjykatës së Tiranës e gjeti dritaren e biznesit të thyer. Ai konstatoi se ishte grabitur kasaforta me 396 mijë e 200 lekë. Autorët kishin përdorur mjete të forta duke e shkulur nga vendi.
“Kasafortat nuk është se hapen në vend, merren zhvendosen, çohen në një ambient të fshehtë larg syve të personave, mbikqyrjes kalimit njerëzve, dhe aty thirren specialist, këta janë vjedhësit dhe transportuesit por për hapjen paguhet dikush tjetër, profesionist që e bën se kur shikon kasaforta të hapura janë gjetur në formë ndërhyrje që i bën vetëm një specialist” u shpreh profesori i kriminologjisë, Ervin Karamuço.
Grabitësit kishin qenë të kujdesshëm duke e kryer gjithçka me doreza, pa lënë shenja gishtash. Por, duke vijuar serinë e grabitjeve diku kanë gabuar dhe kanë orientuar grupin hetimor për ti vënë në përgjim. Qelizat e antenave celulare kishin pikasur në zonë Elton Likën, alias Fatjon Lika dhe Saimir Kuçin, të konsideruar themeluesit dhe krerët e grupit. Ata ishin të kujdesshëm që numrat që përdornin, të mos i regjistronin në emrat e tyre. Kjo del nga dëshmia e shtetases Denada Sh., që aso kohe ishte e dashura e Kuçit.
“Unë njihem me të pandehurin Sajmir Kuçi dhe kemi qenë të dashur. Sajmirit ja kam dhënë numrat për shkak të raporteve që kam pasur me të”.
Referuar dosjes hetimore që Inside Story e disponon të plotë, këtë formë mbulimi me numrat e telefonit të regjistruar në emra të tjerë e konfirmon edhe shtetasja Anisa X., e cila ishte e dashura e pjesëtarit tjetër të grupit Sulejman Bakalli. Ata u nxorën zbuluar nga Admir Burri, i cili kishte rolin e transportuesit në disa grabitje.
“I shpura tek shtëpia e Fatjonit tek Komuna e Parisit, pranë fushës së futbollit. Ndalova aty, Saimiri nxori një tufë me lekë që mund të ishin diku 2 ose 3 milion lekë të vjetra me sy dhe më dhanë 30 000 lekë të vjetra, se i meriton që erdhe. Të dy zbritën dhe unë u largova për në shtëpi”.
Transportuesi i grupit duket se mbeti i pakënaqur me shumën e parave që i dhanë. Kjo ndoshta shpjegon edhe dëshmitë që nxorën zbuluar shokët e tij duke analizuar edhe ngjarjet e tjera të përshkruara në dosjen hetimore.

Top Channel