Inside Story/ Foto ekskluzive, banda e grabitësve aksion në banesa me qen nuhatës

27/04/2022 22:57

Fotoja që shihni është shkëputur nga kamerat e sigurisë së një pallati në Tiranë. Në dukje, është diçka e zakontë. Por, kjo specie gëzon një aftësi të jashtëzakonshme nuhatje për paratë, drogën apo sende të jashtëligjshme dhe përdoret gjerësisht nga policia britanike.

Fotoja në fjalë, është shkëputur në kuadër të hetimeve pas grabitjes së një kasaforte në një banesë.
“Në një rast ne kemi filmim rastësor të dy prej personave që kanë hyrë me qen në një prej pallateve dhe që në atë moment ka lindur dyshimi a është ky një nga ata njohim për nuhatjen e CASH-it, që e përdor policia në pika kufitare. Por tani këta qen kanë ardhur dhe duket se janë në duart e bandave, organizatave kriminale” u shpreh Ervin Karamuço, Profesor i Kriminologjisë
Personi që mban qenin e racës sniffer dyshohet se është me kombësi greke dhe ka marrë pjesë në disa grabitje me vlera kolosale në Tiranë në banesa biznesmenësh dhe politikanësh. Qeni që shihni në foto është përdorur për të zbuluar banesat me shuma të mëdha. Disa prej grabitjeve kanë ndodhur në banesa politikanësh zyrtarësh dhe biznesmenësh të cilët nuk kanë denoncuar pasi burimi i parave ka qenë i jashtëligjshëm.
“Ka pasur raste që këto banesa janë mbajtur në survejim nga grupet krimianle dhe i janë marrë paratë”u shpreh Ervin Karamuço, Profesor i Kriminologjisë
“Organizata të përgjithshme që veprojnë këtu në Shqipëri, por veprojnë edhe në të gjithë Europën. Janë shumë të lëvizshme, punojnë ngushtë me njëri-tjetrin” u shpreh Oscar Ruiz Barba, Policia Kombëtare e Spanjës.
Ka raportime se në një rast, pre e grabitjes ka qenë banesa e një ish-ministri nga ku dyshohet se u grabit një kasafortë me miliona euro. Një qen nuhatës është parë pranë pallatit disa ditë para se të ndodhte grabitja. Por, vërtetësia e këtyre informacioneve ndoshta nuk mund të konfirmohet kurrë pasi nuk ka pasur dhe nuk pritet të ketë denoncim. Dyshimet janë për para’ korrupsioni.
“Normalisht, marrin informacion për bizneset apo shtëpitë ku duan të futen. Ndonjëherë vendosin të zgjedhin shtëpi të shtrenjta, biznese të mira. Marrin informacion se si i lëvizin paratë, sa para lëvizin normalisht, në bazë javore, dhe ndonjëherë kanë informacion për njerëz që kanë lidhje me bizneset, me kasafortat” u shpreh Oscar Ruiz Barba, Policia Kombëtare e Spanjës.

Top Channel