Fiksi solli mbrëmjen e sotme një rast shpërdorimi detyre nga infermierja e Qendrës Shëndetësore Pistull në Bashkinë Vau Dejës, e cila me anë të një teli me spinë i jepte energjinë elektrike të qendrës shëndetësore një banese afër qendrës.
Gazetarët e Fiksit të nisur nga një video që një banorë i zonës dërgon në redaksi, ku tregohej se sahati shënonte dhe kur nuk ishte askush brenda qendrës, bëri që grupi i xhirimit të shkonte në qendër dhe me një vëzhgim të thjeshtë, gazetarja gjen telin i cili dilte nga një vrimë e bërë në dritare dhe orientohej për në banesën pas qendrës.
Për t’u siguruar se në atë tel kalonte energji gazetarët hyjnë në qendër bashkë me infermieren, Maranai Marku e cila më në fund pranon se e ka vënë ajo telin, pas disa përgjigjeve kontradiktore që jep filiimisht. “Nuk e di drejtori, unë e jap energjinë” thotë znj.Marku.
Por jo vetëm aq Fiksi takoi personin që infermierja telefonoi si person përgjegjës për marrjen e energjisë, që në fakt ai nuk pranoi asgjë. Por ftoi edhe infermieren të largohej nga qendra.
Gazetarët e emisionit investigativ telefonuan Drejtuesit e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike , të cilët menjëherë shkojnë në terren. Drejtori i OSHEE Shkodër, Mand Zhuka, sqaroi se këtu nuk vidhet OSHEE, por vidhet qendra dhe se kjo është në bashkëpunim me punonjësit e kësaj qendre, ndaj ai thërret policinë e shtetit.
“Mua s’vje askush të ma çpojë dritaren e zyrës pa dashur unë, ndaj të mbajnë përgjegjësi punonjësit” thotë Zhuka.
Ndërkohë forcat e policisë bëjnë sigurimin e pronave në terren të cilat sipas oficerit të policisë gjyqësore do të shkojnë në prokurori bashkë me deklaratën e infermieres dhe mjekut. Sipas tij, kjo është shpërdorim detyre.
Top Channel