Në emisionin Analizë Superiore të drejtuar nga Sokol Xhihani dhe me pjesëmarrjen e videonalistit të kombëtares U19, Fatjon Bardhi, janë vendosur në “lupë” ndeshjet e javës së 30-të në Abissnet Superiore.
Një nga sfidat që kishte vëmendjen maksimale ishte ajo mes Kukësit dhe Laçit edhe për shkak të inaugurimit të impiantit më të ri në vend, Kukës Arena, teksa verilindorët kërkuan ta nisnin me këmbë të mbarë në shtëpinë e tyre. Mirëpo, të besuarit e trajnerit Diego Longo nuk ia dolën të gjenin rrugën e rrjetës dhe për pasojë ndeshja përfundoi me rezultatin 0-0. Ndërkohë, statistikat tregojnë se Kukësi ishte në zotërim të topit për 31 minuta e 03 sekonda, ndërsa në aspektin e goditjeve në portë, vendasit kishin dy tentativa në kuadratin e Dajsinanit, ndërsa kurbinasit vendosën në provë Tafas në vetëm një rast.
Ndërkaq, në kryeqytet, Tirana zhgënjeu pritshmëritë duke qenë se u mposht me rezultatin 0-1 nga Kastrioti me krutanët që konfirmuan formën e jashtëzakonshme të javëve të fundit. Bardheblutë ndryshe nga ndeshjet e tjera të këtij sezoni, nuk mundën të ishin të saktë në goditjet në kuadrat pasi nga 17 herë që provuan, në vetëm një rast e gjetën portën e Salit. Nga ana tjetër, miqve iu mjaftoi një goditje e saktë nga Onanuga për të dalë me tre pikët nga Selman Stermasi teksa ishin gjithashtu superior në aspektin e dueleve të fituara.
Ndërkohë, nuk pati fitues sfida e Loro Boriçit mes Vllaznisë dhe Partizanit e mbyllur në shifrat 0-0. Shkodranët në këtë ndeshje kishin humbur totalisht shënjestrën pasi përgjatë të gjithë 90-minutëshit nuk e gjetën në asnjë moment kuadratin e mbrojtur nga Alban Hoxha, teksa të kuqtë ishin më mirë në aspektin e zotërimit të topit, por edhe në atë të pasimeve të sakta në fushë.
Sakaq, Egnatia fundosi përfundimisht Skënderbeun teksa i mposhti në transfertë me rezultatin 0-1. Rrogozhinasit nuk ishin skuadra që pati dominancë në zotërimin e topit, megjithatë të besuarit e trajnerit Zekirija Ramadani u shfaqën më rezultativë. Korçarët ishin më mirë edhe në duelet e fituara në fushë, por grinta nuk mjaftoi për të marrë qoftë edhe një pikë ndaj Egnatias.
Në ndeshjen tjetër të javës së 30-të, Teuta mposhti në Elbasan Arena, Dinamon me rezultatin 0-1 me blutë e kryeqytetit që janë gjithnjë e më pranë rikthimit në inferiore. Kryeqytetasit nuk patën saktësi në dy rastet që gjetën kuadratin e durrsakëve, ndërsa ishin më mirë në aspektin e pasimeve teksa kompletuan 114 më shumë pasime të sakta se kundërshtarët. Nga ana tjetër, Teuta ishte më agresive në fushë dhe doli e fituar në 110 duele ndaj 90 duele që shkuan në favor të Dinamos.
Top Channel