Zgjedhjet e PD-së në Bulqizë, tensione mes votuesve dhe kandidatëve

26/04/2022 18:16

Procesi i votimit për kreun e ri të degës së PD-së në Bulqizë është shoqëruar me tensione mes votuesve dhe kandidatëve.

Edhe pse ka kaluar orari zyrtar për të votuar, jashtë qendrës së votimit, në kinemanë e qytetit, ka pasur radhë të anëtarëve që duan të votojnë.

Mes vetë kandidatëve dhe votuese janë krijuar tensione dhe debate. Votimi është ndërprerë disa herë gjatë ditës, për shkak se zgjedhësit nuk gjenin emrat në lista. Votues të tjerë shprehen se nuk kanë pasur kohën  e mjaftueshme për t’u qartësuar se kë duhet të votojmë.

Më herët, mbështetës të kandidatëve  Fatos Hoxha dhe Shaqir Manjani u përplasën në ambientet e Kinemasë, duke shqyer edhe derën e saj me qëllim futjen brenda ambienteve të votimit, pasi nuk kishin emrat në listë.

Zgjedhjet në Bulqizë, të thirrura nga Komisioni i Rithemelimit ishin planifikuar të mbaheshin të dielën, por u shtynë për shkak të tensioneve që u shkaktuan nga listat e parregullta.

Në garë për drejtimin e degës së PD janë Fatos Hoxha dhe Shaqir Manjani.

Top Channel