Një 43-vjecar nga Librazhdi është arrestuar në Murriqan, pasi tentoi të kalojë një çantë të dyshuar me kanabis, në drejtim të Malit të Zi.
Shërbimet e Policisë Kufitare në PKK Muriqan, në zbatim të masave shtesë për rritjen e kontrollit me qëllim parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë që mund të zhvillohet në pikat e kalimit kufitar, kanë kaluar për kontroll të imtësishëm, në vijën e dytë, në dalje të Republikës së Shqipërisë, një automjet me të cilin dyshohej se mund të transportohej lëndë narkotike.
Gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin tip “Benz”, me drejtues shtetasin S. K., 25 vjeç dhe pasagjer shtetasin Sh. K., 43 vjeç, në çantën e këtij të fundit, shërbimet e Policisë Kufitare kanë gjetur dhe sekuestruar një sasi lënde të dyshuar narkotike cannabis sativa.
Në përfundim të veprimeve, specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve dhe Narkotikëve në DVP Shkodër bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit Sh. K., 43 vjeç, banues në Librazhd, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”, mbetur në tentativë.
Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, për veprime të mëtejshme.
Top Channel