Policia e Kosovës është sulmuar përsëri gjatë patrullimit në veri të vendit. Nga sulmi nuk u raportua për të lënduar pasi të shtënat ishin në drejtum të automjetit të blinduar

Në këtë aks rrugor në fshatin Zupce të Zubin Potokut u sulmua për herë të gjashtë policia kufitare e Kosovës. Sipas një njoftimi thuhet se sulmi ndodhi rreth orës tetë të mëngjesit dhe policia u sulmua me armë zjarri, deri më tani ka vetëm dëme materiale të shkaktuara.

Menjëherë pas këqyrjes së vendit të ngjarjes nga ana e Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë, njësia speciale zbarkoi në Lagjen e Boshnjakëve në Mitrovicë të Veriut.

Në një servis të një automekaniku u krye bastisje që rezultoi pas asnjë të arrestuar.

Megjithatë, policia njoftoi se u lanë dy ftesa për paraqitje në polici për dy persona nën dyshimin se kishin ndihmuar në kryerjen e veprës penale.

Deri më tani nuk është sqaruar nëse aksioni i bastisjes është derivat i sulmit ndaj policisë kufitare.

Kështu, policia e Kosovës ka shtuar patrullimet në veri të vendit.

Pjesëtarë të shumtë të policisë janë parë në rrugën që çon për në pikën kufitare të Bërnjakut, sipas autoriteteve e gjithë kjo për shkak të sulmeve ndaj policisë.

Ky është sulmi i gjashtë brenda dy javësh ndaj policisë kufitare. Javën e kaluar policia u sulmua me granatë dore e kallashnikov derisa po e kryenin ndërrimin. Policia po ashtu gjatë kësaj kohe u sulmua edhe me mjete piroteknike.

 

Top Channel