Dy shpërthime në rajonin pro-rus të Moldavisë, pak pasi Putin tha se ‘rusofonët po shtypeshin aty’ (fotot)

26/04/2022 15:29

Dy shpërthime të fuqishme kanë goditur sot rajonin separatist pro-rus të Moldavisë në kufi me Ukrainën, disa ditë pasi Kremlini tha se atje ka nisur fushata e shtypjes kundër rusofonëve.

Shpërthimet goditën dy antena të fuqishme radio të epokës sovjetike që transmetonin stacionet ruse në Transnistri, rajoni autonom i panjohur ndërkombëtarisht në kufirin jugperëndimor të Ukrainës.

Goditjet ndodhën në qytezën Maiac rreth 12 kilometra në perëndim të kufirit me Ukrainën, tha ministria e brendshme e rajonit.

Një ditë më herët shpërthime të shkaktuara nga granata kishin goditur ministrinë e sigurisë së rajonit në kryeqytetin rajonal Tiraspol. Zyrtarët thanë se në shpërthimet nuk u lëndua asnjeri.

Në kundërpërgjigje të incidenteve presidenti i Moldavisë, Maia Sandu kishte mbledhur një takim të këshillit të sigurisë së vendit.

Autoritetet pro-evropiane të Moldavisë kishin shprehur shqetësime për rritje të tensioenve në Transnistria, veçanërisht që prej sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës.

Duke shënuar rritjen e tensioneve, kreu ushtarak i Kremlinit, Rustam Minnekayev tha më herët se Rusia kërkon kontrollin e jugut të Ukrainës deri në arritjen e lidhjes tokësore me Transnistrinë “ku ka pasur shtypje të ngjashme të popullatës rusisht-folëse”.

Ministria e jashtme e Moldavisë thirri ambasadorin rus për komente, duke u ankuar për deklarata që cënojnë integritetin e saj territorial ‘brenda kufijve të njohur ndërkombëtarisht’.

Ata thanë se sugjerimet e Moskës për nevojën e mbrojtjes së popullatës rusisht-folëse ishin një jehonë e frikshme e justifikimit të pushtimit të Ukrainës.

Por zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha sot se Rusia po ndjek nga afër ngjarjet në Transniestria, duke shtuar se zhvillimet nga rajoni janë një shqetësim serioz për Rusinë.

Transnistria është një rrip tokësor me rreth 470,000 banorë mes Moldavisë e Ukrainës, ku të gjithë qytetarët kanë qytetari ruse por njihet ndërkombëtarisht si pjesë e Moldavisë.

Rreth 1,500 trupa të ushtrisë ruse janë të stacionuara gjithmonë në Transnistria, të vendosura në një depo me rreth 20,000 ton municione që datojnë prej epokës sovietike, sipas britanikes Daily Mail.

Në orët e para të së martës, dy shpërthimet goditën antenat e stacioneve radio që përcillnin mediat ruse në zonën e kufirit me Ukrainën.

Siaps raportimeve shpërthimet ndodhën mëngjesin e sotëm në 6:40 e 7:05 në qendrën radiofonike  ‘Mayak’, rreth 50 kilometra larg kryeqytetit rajonal Tiraspol.

Deri tani nuk janë bërë lidhje mes sulmit në Tiraspol dhe shpërthimeve të antenave radio.

Prej disa ditësh zyrtarët kanë thënë se konflikti në Ukrainë mund të zgjerohet në shtete të tjera, duke nisur nga ato kufitare.

Ndryshe nga Ukraina e Gjeorgjia, Moldavia nuk kërkon anëtarësim në Nato por ka aplikuar për aderim në Bashkimin Evropian. Vendi prej 2.6 milionë banorësh, ka vetëm disa mijëra ushtarë dhe nuk mund të përbëjë rezistencë ndaj një sulmi rus.

FOTO GALERI
6/7
Rreth 1,500 trupa të ushtrisë ruse janë të stacionuara gjithmonë në Transnistria

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA