Vijojnë luftimet e ashpra në Luhansk dhe Donetsk, fillimi i javës nisi me bombardime

25/04/2022 21:58

Zyrtarët ukrainas dhe Ministria ruse e Mbrojtjes kanë raportuar një ditë tjetër për luftime të ashpra në rajonet lindore të Ukrainës.

Kreu i administratës ushtarake të rajonit të Luhanskut, Serhiy Hayday tha se rusët vazhdojnë të rrafshojnë gjithçka, duke vijuar sulmet në rajonin e Luhanskut. Ai specifikoi fshatin e Novotoshkivka i cili tashmë është shkatërruar i gjithi.

“Për fat të keq, nuk ka mbetur pothuajse asnjë shtëpi në Novotoshkivka. Trupat tonë u tërhoqën pak, por jo shumë, sepse nuk kishte më asgjë për t’u mbajtur, nuk kishte ku të mbante mbrojtjen“, tha ai.

Pamjet nga zona e bombarduar  tregonin se pjesa më e madhe e fshatit është shkatërruar.

Hayday tha se forcat ruse po përpiqeshin ende të depërtonin në qytetet fqinje Rubizhne dhe Popasna, duke vazhduar me granatime intensive gjatë gjithë ditës.

Ai shtoi  se rusët kishin dëmtuar nënstacionin elektrik që furnizonte të gjithë rajonin.

Nga ana tjetër Ministria ruse e Mbrojtjes pretendoi se katër poste komanduese dhe një depo municioni pranë qytetit Sloviansk ishin shkatërruar. Duke shtuar se një tjetër objektiv ushtarak ukrainas në qytetin Novogrodovka ishte sulmuar.

Forcat ruse kanë vënë në shënjestër Sloviansk dhe Kramatorsk, ndërsa përpjekjet vijojnë për të arritur  kufijtë e rajoneve Donetsk dhe Luhansk.

Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës tha se rusia po  vazhdon të kryejë sulme në zonat lindore për të vendosur kontrolle në rajonet e Donetsk dhe Luhansk me qëllim për të ruajtur rrugën tokësore me Krimenë e pushtuar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA