Tensione mes demokratëve! Thyejnë kutinë e votimit, ndërpriten zgjedhjet e “Rithemelimit” në Malësinë e Madhe

25/04/2022 18:23

Procesi i votimit për kreun e ri në degën e PD-së në Malësinë e Madhe është ndërprerë pas konflikti mes votuesve.

Kandidati Isa Ramaj pretendon se disa persona që nuk janë anëtarë të së djathtës, po marrin pjesë në votim.

Pas tensionit të krijuar, është thyer kutia e votimit dhe votat janë hedhur të gjitha në tokë. Votimi u pezullua.

Komisioni i Organizimit dhe Monitorimit të Operacioneve Elektorale njoftoi më vonë se ka vendosur anulimin e zgjedhjeve në degën PD Malësinë e Madhe, “ai është në procesin e mbledhjes dhe verifikimit të të gjitha fakteve dhe ndodhive që çuan në prishjen e procesit të votimit për të cilat do të shprehet me një vendim zyrtar“.

Në zgjedhjet e thirrura nga Grupi i Rithemelimit, në garë për kreun e degës së Malësisë së Madhe ishin Fredi Sterkaj, Mimoza Rexhvelaj dhe Isa Ramaj.

Procesi i votimit u mbajt këtë të hënë në 9 degë, ndërsa prej javësh zgjedhjet janë zhvilluar në shumicën e degëve të vendit, ndërsa pritet që procesi të përfundojë këtë javë.

Zjedhjet, që kundërshtohen nga grupimi tjetër në PD, që mbështet kreun e komanduar të partisë, Enkelejd Alibeajn, janë shoqëruar me disa incidente. Shpesh, disa nga kandidatët kanë hequr dorë në momentin e fundit, teksa japin si shpjegim probleme personale ose mosdakordësi për procesin dhe akuza për manipulim.

Në Kukës, kandidati Irel Elezi, një zë kritik brenda strukturave, u tërhoq nga gara pak minuta pasi nisi votimi, me pretendimin se janë manipuluar listat e emrave.

Top Channel