“Abissnet Superiore” ka hyrë në fazën finale të këtij edicioni, ndërsa pas javës së 30-të, ka ende “fronte” të hapura. Një prej tyre është mbijetesa, por tani luftohet vetëm për vendin e tetë, zonën “Play-Out”
Në klasifikim asgjë nuk ndryshon sa i përket renditjes së skuadrave. Dinamo dhe Skënderbeu mbyllin përsëri tabelën në fund dhe tani ndoshta edhe pa shpresë, për të shmangur rënien një kategori më poshtë. Ishte ndoshta java më vendimtare e sezonit për këtë zonë, me takime të drejtpërdrejta midis skuadrave që luftojnë direkt në zonën e mbijetesës. Kryeqytetasit pësuan humbjen e gjashtë radhazi dhe tani e shohin Egnatian 9 pikë larg, një diferencë që në pamje të parë nuk “tremb” shumë për t’u dorëzuar, por forma e Dinamos nuk jep më shpresë, me skuadrën që i ka dorëzuar “armët” përpara luftës.
Në fund, Skënderbeu, korçarët nuk fitojnë në kampionat nga 18 dhjetori i vitit kaluar, me pak fjalë, 127 ditë dhe një fecuri e tillë nuk lë më vend për të shpresuar. Si të mos mjaftonte ecuria, Dinamo dhe Skënderbeu kanë kundër edhe kalendarin në javët e ardhshme. Formën e dobët të dy skuadrave të fundit e kanë shfrytëzuar rrogozhinasit, të cilët kanë krijuar një distancë sigurie dhe gara në zonën e mbijetesës është spostuar për të evituar vendin e tetë, ose thënë ndryshe zonën “Play-Out”.
Tre skuadra, Kastrioti, Teuta dhe Egnatia, tani janë fokusuar në këtë garë dhe diferencat midis tyre janë të vogla, me Kastriotin që ka një rendiment tjetër nga dy rivalët e saj, me gjashtë fitore radhazi, ndërsa “bregdetarët” dhe Egnatia do të kërkojnë që në sprintin final të evitojnë luhatjet e sezonit.
Por çfarë parashikon e ardhmja? Gjithçka do të vendoset në takimet direkte, pasi kalendari parashikon përplasjen e të treja skuadrave deri në fund të sezonit (Kastrioti-Egnatia, Teuta-Egnatia, Kastrioti-Teuta). Egnatia është skuadra që pozicionohet në vendin e tetë për momentin dhe sheh përpara kalendarin më të vështirë, sepse do të luajë ndaj rivalëve direkt, Kastrioti dhe Teuta në transfertë, ndërsa krutanët do të presin si Teutën edhe rrogozhinasit në shtëpi. Gjithsesi në javën e ardhshme, në fundjavë, zona e mbijetesës do të “mbajë” frymën në finalen e parë, midis Kastriotit dhe Egnatias.
Top Channel