Ndihmës sekretarja për Byronë e Çështjeve Evropiane dhe Euroaziatike, Karen Donfried, viziton sot Kosovën, gjatë një turi të saj në Ballkanin Perëndimor.

Sipas axhendës së publikuar nga Departamenti i Shtetit Amerikan, më 25 prill, Donfried, do të falënderojë Kosovën për strehimin për afganët dhe ukrainasit, do të inkurajojë punën në reformat për konsolidimin demokratik dhe integrimin në institucionet evropiane dhe euroatlantike dhe do të shqyrtojë perspektivat për përparim në dialogun e mbështetur nga SHBA, e të lehtësuar nga BE-ja, me Serbinë drejt një marrëveshjeje për marrëdhënie të normalizuara të përqendruara në njohjen reciproke.

Pas kësaj, zyrtarja e lartë amerikane do të ndalojë dhe në Shqipëri, Bosnje dhe Hercegovinë, Mal të Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbi. Shtetet e Ballkanit Perëndimor javën që shkoi i vizituan edhe tre senatorë amerikanë, Chris Murphy, Jeanne Shaheen dhe Thom Tilli. Murphy në Kosovë tha se anëtarësimi i këtij shteti në NATO është më urgjent se kurrë.

“Gjatë diskutimeve tona folëm për interesat e tona të përbashkëta për të vazhduar proceset e Kosovës për t’u bashkua si NATO-s ashtu edhe BE-së. Natyrisht se më shumë kemi të bëjmë me procesin e anëtarësimit në NATO dhe tani është më urgjente se kurrë që të sigurojmë që shtetet si Kosova që janë në perfieri të një Rusie të vënë në kënd, që këto shtete të kenë mbrojtje”, u shpreh ai.

Murphy përmendi edhe largimin nga jeta të sekretares amerikane të Shtetit, Madeliene Albright, dhe theksoi se familja e saj e ka vlerësuar shumë memorialin e ngritur në Prishtinë për ta përkujtuar rolin e politikanes së madhe gjatë luftës në Kosovë.

Top Channel