Zyrtarët ukrainas thanë se forcat ruse sulmuan të shtunën një fabrikë çeliku në qytetin port të shkatërruar të Mariupolit, me sa duket në përpjekje për të eliminuar xhepin e fundit të rezistencës ukrainase në qytetin strategjik që Kremlini pretendon se ushtria e tij e ka vënë nën kontroll.
Njoftimi për sulmin u bë nga një këshilltar i presidencës së Ukrainës ndërsa rreth 1000 civilë qëndronin të strehuar në fabrikën e Azovstalit së bashku me luftëtarët ukrainas që kishin mbetur.
Ndërkohë forcat ruse vazhduan ofensivën në rajonin lindor të Donbasit mes kundërsulmeve të ashpra ukrainase.
Këshilltari presidencial, Oleksiy Arestovich, tha gjatë një konference për shtyp se forcat ruse kishin rifilluar sulmet ajrore ndaj fabrikës masive bregdetare dhe po përpiqeshin t’ hynin me forcë brenda saj, gjë që do të përbënte një ndryshim nga urdhri që dha presidenti rus Vladimir Putin dy ditë më parë.
Ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu i raportoi presidentit rus Putinit të enjten se i gjithë Mariupol, me përjashtim të Azovstalit, ishte “çliruar” nga rusët.
Presidenti rus e urdhëroi atë të mos fuste trupa në kompleks, por të kësaj të bllokonte objektin, një përpjekje e dukshme për t’i bërë ukrainasit të vdisnin nga uria dhe për t’i detyruar ata të dorëzoheshin.
Zyrtarët ukrainas kanë vlerësuar se rreth 2,000 nga trupat e tyre janë brenda fabrikës së bashku me civilë që janë strehuar në tunelet nëntokësore të objektit. Zorti Arestovic tha se forcat ukrainase po përpiqeshin t’u bënin ballë sulmeve të reja.
Ndërkohë komanda ajrore jugore e forcave të armatosura të Ukrainës tha se dy raketa goditën të shtunën një objekt ushtarak dhe dy ndërtesa banimi në qytetin port jugor të Ukrainës, Odesa.
Mbrojtja ajrore ukrainase tha në një deklaratë se shkatërroi dy raketa të tjera që kishin gjithashtu në shënjestër qytetin.
Ndihmësi i presidentit ukrainas Andriy Yermak tha se pesë persona ishin vrarë dhe 18 u plagosën.
Numri i të vdekurve nuk është verifikuar në mënyrë të pavarur. Goditja e fundit madhore në Odesa ose pranë saj ishte në fillim të prillit.
“Qëllimi i vetëm i sulmeve ruse me raketa në Odesa është terrori,” shkruante në Twitter ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba. Rusia ka mohuar të ketë vënë në shënjestër civilët në atë që ajo e quan “operacion special ushtarak” që filloi më 24 shkurt./Voa
Top Channel