Kjo e dielë pashkësh, shënon mbylljen e muajit të dytë të luftës në Ukrainë.
Ukrainasit e nisën ditën me lutje për ata që mbrojnë vendin dhe ata që përballen me kushte të dëshpëruara në Mariupol—foto . Në Katedralen e Shën Volodimirit në Kiev, shumë qytetarë sollën shporta për t’u bekuar nga priftërinjtë.
Ndërkohë në terren sulmet e ashpra vazhduan. Rusia rinisi sulmin ndaj mbrojtësve të fundit në fabrikën e çelikut Azovstal në Mariupol, edhe pse kishte deklaruar ditë më parë se kishte arritur fitore në qytetin port dhe se forcat e saj nuk kishin nevojë të merrnin fabrikën. Zyrtarët ukrainas kanë vlerësuar se rreth 2,000 nga trupat e tyre janë brenda fabrikës së bashku me civilë që janë strehuar në tunelet nëntokësore të objektit.
Ndërkohë komanda ajrore jugore e forcave të armatosura të Ukrainës tha se dy raketa goditën të shtunën një objekt ushtarak dhe dy ndërtesa banimi në qytetin e Odesas. Të paktën 8 persona raportohet se kanë humbur jetën nga sulmi. Një foshnjë tre muajshe ishte në mesin viktimave, ndërsa tetëmbëdhjetë të tjerë u plagosën.
Në vetëm tetë javë, Rusia e ka kthyer kohën pas, duke e detyruar Ukrainën të rijetojë tmerret më të këqija të shekullit të 20-të.Mijëra të vdekur, miliona të zhvendosur, qytete të kthyera në gërmadha.
E megjithatë Rusia nuk ka arritur të pushtojë Kievin dhe të rrëzojë qeverinë.
Top Channel