Zgjedhjet e së dielës në Francë do të përcaktojnë nëse presidenti aktual pro-evropian, Emmanuel Macron, apo politikania e së djathtës ekstreme, Marine Le Pen, do të drejtojë ekonominë e dytë më të madhe të Bashkimit Evropian, gjatë pesë vjetëve të ardhshëm.
Sondazhet e opinionit favorizojnë fitoren e Macronit për mandatin e dytë. Epërsia e tij është përmirësuar qëkur dy kandidatët janë kualifikuar për balotazh në rundin e parë të zgjedhjeve, që është mbajtur më 10 prill.
Megjithatë, sondazhet e tanishme e nxjerrin Macronin me 54-56 për qind të votave, në krahasim me 66.1 për qind të votave të fituara në zgjedhjet e vitit 2017, kur kundërkandidate ka pasur njësoj Le Penin.
Fitorja e Le Penit nuk mund të përjashtohet, edhe pse ka më pak gjasa.
Çfarë do të jetë vendimtare?
Macron dhe Le Pen janë përballur me njëri-tjetrin në një debat të vetëm televiziv, që është mbajtur të mërkurën në mbrëmje. Performanca e dobët e Le Penit në debatin e vitit 2017 është thënë se ka luajtur rol të madh në humbjen e saj. Kësaj here mbetet të shihet.
Kë nuk e pëlqejnë votuesit apo kujt i frikësohen më shumë? Asnjëri prej kandidatëve nuk ka mjaftueshëm mbështetës tradicionalë. Pra, çelësi i tyre është t’i bindin votuesit se kandidati tjetër është më i keq.
Ajo që bëjnë votuesit e majtë, do të jetë vendimtare për rezultatin.
Stili dhe politikat e Macronit kanë mërzitur shumë të majtë dhe ai pritet ta ketë më të vështirë se në vitin 2017 për të fituar mbështetjen e tyre.
Çfarë ndodh pastaj?
Kushdo që fiton të dielën, do ta arrijë këtë pas një fushate përçarëse dhe ndoshta me një shumicë të vogël. Nëse Macron fiton, siç parashikojnë sondazhet, ai do ta ketë mandatin e dytë më të vështirë. Votues të të gjitha shtresave ka të ngjarë të dalin në rrugë, për shkak të planeve të tij për të vazhduar reformat pro bizneseve.
Nëse Le Pen fiton, atëherë pritet të ketë ndryshime rrënjësore në politikat e brendshme dhe ndërkombëtare të Francës, ndërsa protestat në rrugë mund të fillojnë menjëherë.
Sido që të jetë, një nga sfidat e para të fituesit do të jetë fitorja e zgjedhjeve parlamentare të qershorit.
Cilat janë çështjet kryesore për votuesit?
Fuqia blerëse është shqetësimi kryesor i votuesve, pas rritjes së madhe të çmimeve të energjisë dhe inflacionit. Le Pen e ka fokusuar me sukses fushatën e saj në këtë çështje.
Fushata zgjedhore ka filluar në mes të luftës në Ukrainë. Sondazhet i kanë dhënë një shtyrje fillestare Macronit, por ajo është zbehur.
Sondazhet tregojnë se votuesit janë të pakënaqur me politikën ekonomike të Macronit, por papunësia është në nivelin më të ulët në disa vite dhe të anketuarit nuk mendojnë se ndonjë nga kundërshtarët e tij do të vepronte më mirë.
Mënyra se si Macron e ka trajtuar pandeminë e koronavirusit mund të luajë gjithashtu rol.
Kur dihet fituesi?
Votimet fillojnë të dielën e 24 prillit në orën 06:00.
Ato përfundojnë në orën 18:00, pastaj publikohen exit poll-et dhe televizioni francez nxjerr fotografinë e fituesit.
Rezultatet zyrtare nisin të dalin gjatë mbrëmjes, por exit poll-et zakonisht janë të besueshme./REL
Top Channel