Inter rikthehet sërish te “dashuria e vjetër” Rodrigo De Paul.
Mesfushori argjentinas ishte në vëmendjen e drejtuesve zikaltër edhe sezonin e kaluar, por Atletico e Madridit u tregua më e shpejtë dhe pagoi 35 milionë euro për kartonin e tij, duke e marrë në kampionatin spanjoll.
Megjithatë përshtatja në La Liga nuk ka qenë ajo e duhura për mesfushorin argjentinas, që nuk është shndërruar në titullar me “Los Colchoneros” dhe do të dëshironte një rikthim në Itali, aty ku ka kaluar vitet më të mira të karrierës.
Mediat italiane raportojnë se Marotta e Ausilio kanë nisur negociatat me menaxherin e argjentinasit dhe për momentin po diskutohet për një huazim një vjeçar, me të drejtë blerjeje për 25 milionë euro verën e ardhshme, megjithatë fjalën e fundit pritet ta thonë drejtuesit e Atleticos së Madridit.
Ndonëse jemi në hapat e para të negociatave, pritet që edhe vetë De Paul të luajë një rol të rëndësishëm në këtë transferim, pasi dëshiron rikthimin në Itali, për të luajtur titullar në prag të Botërorit të Katarit.
Nga ana tjetër, spektator i interesuar është Simone Inzaghi, që sheh te argjentinasi alternativën e duhur për të zëvendësuar qoftë Barellën, qoftë turkun Calhanoglu në formacion dhe për të shtuar cilësi në skuadër./supersport
Top Channel