Lungomare, suksesi shtrihet në Durrës. Impenjim i kryeministrit, nga ura e Dajlanit në gjithë gjatësinë e plazhit

23/04/2022 15:02

Pas Vlorës, edhe Durrësi do të ketë së shpejti Lungomare.

Projekti parashikon një rikonceptim të qytetit bregdetar që pret çdo vit mijëra turistë, investim i cili pritet të ketë një ndikim të konsiderueshëm për ekonominë e zonës.

“Me projektin e ri do krijohet një vlerë tjetër e shtuar, do rritet vlera e këtyre apartamenteve e patjetër do rriten dhe hotelet në vlerë e ndërkohë do ti bashkëngjitet ky projekt edhe portit të ri turistik që është ende në fazën e negocimit me kompaninë e Emirateve për tu konkluduar dhe besojmë që së shpejti do të jetë në ndërtim”, – tha Kryeministri Rama.

Më në detaje, projekti përfshin ndërtimin e një shëtitoreje përgjatë vijës së plazhit e cila do të ketë hapësira sportive, kënde lojërash dhe jo vetëm. Ajo nis nga ura e Dajlanit për të përfunduar në zonën e njohur si Kavalishenca.

“Kemi disa kohë që kemi filluar një analizë për nevojat që paraqet realizimi i një shëtitoreje në këtë zonë. Kjo është një zonë që ka qenë e prekur dhe nga tërmeti por është bërë një punë e madhe sepse këtu kryesisht pallatet kanë qenë të dëmtuara në ambientet e përbashkëta kështu që përveç granteve që i kemi dhënë familjeve, kemi bërë ndërhyrje në gjithë njësinë administrative të Durrësit” – u shpreh kryebashkiakja e Durrësit.

Projekte të mëdha zhvillimore pritet të ndërmerren në kuadër të transformimit të Durrësit. Vëmendja është te masterplani për portin e Durrësit, një investim me vlerë prej 2 miliardë dollarë për të cilin qeveria është zotuar ta kthejë atë në portin turistik më të madh të Mesdheut.

Top Channel