Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse Maria Zakharova ka shigjetuar përsëri Greqinë pas dëbimit të diplomatëve rusë në fillim të prillit, duke lidhur këtë veprim të autoriteteve greke me vizitën e nënsekretares së shtetit të SHBA Victoria Nuland në Greqi.

Duke folur me ironi, Zakharova, përmes llogarisë së saj në Telegram, i referohet deportimit të 12 diplomatëve rusë më 6 prill, duke pyetur nëse data është e rastësishme apo është një “llogaritje e saktë djallëzore” për sa u përket autoriteteve greke, pasi më 6 prill 1941 Greqia u sulmua nga trupat naziste gjermane.

“Së fundmi Greqia, me të cilën kemi rrënjë të thella historike, njoftoi deportimin e diplomatëve rusë në një datë shumë specifike – 6 prill. Dhe është interesant fakti që Greqia shpalli deportimin e diplomatëve tanë më 6 prill. Në të njëjtën ditë në Athinë ndodhej edhe përfaqësuesja e SHBA-ve Victoria Nuland dhe nëse Nuland shfaqet diku, atëherë mos prisni gjëra të mira prej andej” -deklaroi zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse .

Zonja Zakharova shkon edhe më tej në të kaluarën historike dhe arrin tek revolucioni grek i vitit 1821 dhe marrëdhëniet greko-ruse, duke theksuar se “shteti grek, i cili u çlirua dhe u rikrijua në kohën e duhur falë ndihmës së Rusisë, me liderin e parë ministrin e Jashtëm rus (Ioannis Kapodistrias), mbeti tani praktikisht pa marrëdhënie diplomatike me vendin tonë. Dhe kjo pavarësisht se ne ndajmë besimin me grekët, trashëgojmë të njëjtat tradita dhe nuk kemi refuzuar kurrë t’i ndihmojmë miqtë tanë grekë. Çfarë vlerë ka ndihma jonë e vitit të kaluar tek zjarret në Peloponez? ”

Zakharova tha gjithashtu se “veprime të tilla si dëbimi i diplomatëve rusë për arsye të solidaritetit euroatlantik fshijnë të kaluarën e përbashkët të dy popujve” duke nënvizuar se “NATO privon njerëzit dhe kombet nga e ardhmja, nga pavarësia dhe e drejta për zgjedhje sovrane.”

Kujtojmë se në 6 prill, Ministria e Jashtme greke njoftoi se 12 anëtarë të misioneve diplomatike dhe konsullore ruse në Greqi u deportuan dhe u klasifikuan si persona non- grata në vend, ndërsa nënsekretarja e shtetit të SHBA Victoria Nuland vizitoi Athinën një ditë përpara në 5 prill,në fillimin e turneut të saj në Turqi, Greqi dhe Qipro.

Top Channel