Në shoqëritë e hapura, ekziston një marrëdhënie e ngushtë midis një media të përgjegjshme dhe të pa censuruar nga njëra anë, dhe demokracisë dhe shtetit të së drejtës nga ana tjetër. Qytetarët e informuar siç duhet në një demokraci, e marrin rolin e tyre të kërkimit të llogaridhënies për atë që bën qeveria e tyre.
Shumëkush shpreson që votuesit francezë ta bëjnë këtë gjë të dielën e 24 prillit, duke siguruar që presidenti aktual Emmanuel Macron ta mposhtë sërish Marine Le Pen, sfidanten e tij nacionaliste të krahut të djathtë, në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale.
Ndërkohë, autokracitë varen nga aftësia e tyre për të ushtruar një kontroll maksimal mbi shumicën e aspekteve – politike, ekonomike, sociale dhe kulturore – të jetës së një vendi. Dhe thelbësore për këtë kontroll, është përcaktimi i asaj që publiku lejohet të dijë mbi atë që po ndodh realisht brenda dhe jashtë shoqërisë së tyre.
Për të parandaluar shtimin e kritikave dhe trazirave, qeveritë jodemokratike detyrohen të ndalojnë fjalën e lirë, të përhapin lajme të rreme, dhe të krijojnë një narrativë që mbështet sundimin autoritar. Për shembull në Kinë, autoritetet e përshkruajnë shtypjen e ujgurëve myslimanë në Xinjiang si një masa thjesht të kufizuara kundër terrorizmit dhe “riedukimit paqësor”.
Ndërkohë censurohet çdo pretendim se myslimanët po mbyllen në kampe, torturohen dhe ndahen nga fëmijët e tyre, apo që gratë i nënshtrohen sterilizimit të detyruar dhe abortit. Disa avokatë të të drejtave të njeriut, thonë se këto politika janë krime kundër njerëzimit, dhe ndoshta edhe shembuj të gjenocidit .
Në Hong Kong, një qytet dikur i lirë, tani i vënë nën kontrollin e rreptë të qeverisë së Pekinit, gazetarët burgosen me akuza të sajuara, ndërsa mediat detyrohen të heshtin ose të mbyllen. Nëse qyteti nuk është ende një shtet tërësisht policor, është e sigurt se atë e drejtojnë zyrtarët e sigurisë që sillen si banditë me qytetarët.
Ish-polici John Lee, që është projektuar nga autoritetet në Pekin si shefi i ardhshëm ekzekutiv i Hong Kongut, beson se çdo vënie në dyshim e politikave të qeverisë qendrore, është e barabartë me rebelimin. Lee nuk di asgjë mbi çështjet ekonomike dhe sociale, por nga ana tjetër e di se si burgosen disidentët.
Po kështu në Rusi, vitet e kontrollit shtetëror mbi mediat dhe mashtrimi i paturpshëm, kanë ndihmuar në formimin e mbështetjes publike për luftën e presidentit Vladimir Putin kundër Ukrainës, e cila është shoqëruar nga vrasjet gjakftohtë të qytetarëve, shkatërrimi i shtëpive të tyre dhe i qyteteve të tëra.
Publikut rus i është thënë prej kohësh se Ukraina drejtohet nga neo-nazistët, se ky vend përfaqëson simbolin e kërcënimit të NATO-s për sigurinë e Rusisë, dhe se rusisht-folësit në Ukrainë kanë qenë viktima të sulmeve gjenocidale.
Duke pasur parasysh të gjitha këto gënjeshtra, nuk është për t’u habitur pse shumica e rusëve duket se e mbështetin Putinin dhe aparatin e tij të sigurisë në Kremlin, pavarësisht nga numri në rritje i ushtarëve rusë të vrarë që rikthehen në vend më arkivolë.
Pas indoktrinimit, shumë rusë e ngatërrojnë të zezën me të bardhën. Vende të tjera me qeveri jo liberale, por jo tërësisht autoritare, kanë një qëndrim të ngjashëm ndaj lirisë së fjalës. Në Hungari, vend që është ende anëtar i Bashkimit Evropian, pavarësisht nga përbuzja e zakonshme e kryeministrit Victor Orbán për vlerat themelore të unionit, media kontrollohet kryesisht nga miqtë e qeverisë.
Orban siguroi fitoren e tij të fundit në zgjedhje, pjesërisht nëpërmjet përdorimit korruptiv të fondeve që mori qeveria e tij nga Brukseli. Ai është aktualisht “hallka më e dobët” në BE, dhe opozita më e fortë ndaj NATO-s në lidhje me luftën e Rusisë në Ukrainë.
Por Orban nuk është i vetmi udhëheqës politik evropian në këtë kamp. Le Pen, fushata e së cilës për presidencën franceze, financohet pjesërisht nga një hua e marrë nga një bankë hungareze afër Orban, ka qenë prej kohësh një admiruese e Putinit, teksa ditët e fundit i bëri thirrje Perëndimit të ndalë furnizimin me armë të Ukrainës, dhe u zotua ta tërheqë Francën nga komanda e integruar e NATO-s nëse ajo fiton të dielën.
Shkëlqimi në këtë fushatë, nuk mund të fshehë dot pikëpamjet ekstremiste të Le Pen, dhe Putini duhet të shpresojë që ajo të triumfojë. Askush në Francë – apo në demokraci të tjera, ku liderët nacionalistë ekstremë duket se e simpatizojnë Putinin – nuk mund të pretendojë se është i pasigurt për atë që po ndodh në Ukrainë, apo mbi fatin e atyre në Rusi që e kundërshtojnë plot guxim luftën në Ukrainë.
Votuesit francezë kanë të gjithë informacionin dhe provat e nevojshme për të bërë një zgjedhje serioze, në lidhje me qëndrimin e tyre ndaj të keqes që përfaqëson Putin. Ata nuk kanë justifikimin e rusëve apo kinezëve, të cilëve u mohohet një mjedis i lirë mediatik.
Por nuk ka asnjë dyshim se nuk do mungojnë justifikimet, në rast se do të zbehet vendosmëria e Evropës dhe Amerikës ndaj Ukrainës, siç shpreson edhe vetë Putini. Për disa, ankesat ekonomike do të tejkalojnë çdo shqetësim moral.
Ashtu siç lakmia e tejkalon shpesh çdo shqetësim për të drejtat e njeriut, kur kemi të bëjmë me Kinën, edhe perspektiva për të paguar fatura më të larta të energjisë, do të na verbojë disa ndaj krimeve të Putinitnë Ukrainë. Në thelbin e fshehtë të nacionalizmit populist, është një pikëpamje e ngushtë e natyrës së komunitetit, e cila mposht çdo pranim të përgjegjësisë qytetare dhe humanitare.
Arma më e madhe e Ukrainës është guximi i qytetarëve të saj. Në pjesën tjetër të Evropës, është angazhimi ynë ndaj vlerave, që duhet të mbështesin demokracitë e hapura. Ky është gjykimi që duhet të kenë edhe votuesit francezë në zgjedhjet presidenciale të së dielës.
Franca, që ka bërë kaq shumë që nga Iluminizmi Evropian, për të promovuar dhe mbrojtur lirinë, barazinë dhe vëllazërinë, është përfshirë sërish në një luftë për këto virtyte. Lufta politike e Macron, është gjithashtu një luftë për demokraci. Nëse qytetarët francezë bëjnë zgjedhjen e gabuar më 24 prill, ata nuk do të kenë mundësi ta përdorin injorancën si një mjet mbrojtës./bota.al
Shënim: Chris Patten, guvernatori i fundit britanik i Hong Kongut, dhe ish-komisioner i BE-së për çështjet e jashtme. Sot është kancelar i Universitetit të Oksfordit.
Top Channel