Pse Gjermania nuk dërgon armë në Ukrainë? Kancelari Scholz: Nuk duam luftë me Rusinë

22/04/2022 16:40

NATO duhet të shmangë një konfrontim të drejtpërdrejtë ushtarak me Rusinë që mund të çojë në një luftë të tretë botërore, tha kancelari gjerman Olaf Scholz në një intervistë me Der Spiegel të Gjermanisë.

Ai u pyet se pse Gjermania nuk i ka dorëzuar Ukrainës armë të rënda.

Nuk ka asnjë libër rregullash për këtë situatë që thotë se në cilën pikë ne konsiderohemi palë në luftën në Ukrainë,” tha Scholz në intervistën, e cila u botua këtë të premte.

Kjo është arsyeja pse është edhe më e rëndësishme që ne të shqyrtojmë çdo hap me shumë kujdes dhe të koordinohemi ngushtë me njëri-tjetrin,” tha Scholz, duke shtuar se shmangia e “një përshkallëzimi drejt NATO-s është një përparësi kryesore.

Nuk duhet të ketë luftë bërthamore, pasojat do ishin dramatike” tha Scholz.

Scholz po përballet me kritika nga brenda dhe jashtë Gjermanisë për ngurrimin e pretenduar të qeverisë së tij për të dorëzuar armë të rënda, si tanke dhe obus, në Ukrainë, ndërsa pushtimi i Rusisë ka hyrë në një fazë të re dhe potencialisht vendimtare.

Scholz tha gjithashtu se ai nuk beson se një embargo ndaj gazit rus do t’i jepte fund luftës në Ukrainë.

Unë absolutisht nuk e kuptoj se si një embargo gazi do t’i jepte fund luftës. Nëse Putin do të ishte i hapur ndaj argumenteve ekonomike, ai kurrë nuk do ta kishte filluar këtë luftë të çmendur,” tha ai.

Kancelari gjerman dhe qeveria e tij janë kritikuar për mos heqjen dorë nga energjia ruse. Scholz tha në fillim të prillit se vendi i tij po bën gjithçka që mundet për të arritur këtë qëllim “shumë shpejt”.

Scholz tha se qëllimi më i rëndësishëm në situatën aktuale është një armëpushim dhe se trupat ruse duhet të tërhiqen. “Duhet të ketë një marrëveshje paqeje që i mundëson Ukrainës të mbrohet në të ardhmen,” tha ai.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA