Besimtarët ortodoksë në të gjithë vendin iu bashkuan Udhës së Kryqit ose siç njihet ndryshe lëvizja e Epitafit të Krishtit nëpër qytet.
Ky është një rit fetar që kisha ortodokse e organizon në mbrëmjen e së premtes së zezë dhe që synon të shprehë dhembjen e besimtarëve për kryqëzimin e Krishtit.
Në disa qytete u zhvillua Procesioni i Epitafit. Gjatë pasdites së të premtes në Vlorë, nga kisha e Shën Theodhorit është organizuar riti i kalimit nën epitaf dhe varrimi i Krishtit, pjesë e të cilës janë bërë qindra qytetarë.
Me një marshim të heshtur, qindra persona kanë bërë parakalimin tradicional në rrugët kryesore të qytetit.
Edhe në Durrës, ceremonia e Epitafit nisi nga kisha ortodokse e Shën Astit dhe Shën Pavlit përgjatë Rrugës Tregtare për të mbërritur në qendër të të qytetit dhe përfshirë në këtë ceremoni dhe shumë qytetarë të tjerë. Lëvizjes së Epitafit në qytet i parapriu shërbesa e orëve të pësimeve të Zotit Jezu Krisht për të vijuar më pas me të tjera shërbesa që kulmojnë me kremtimin e Pashkës, festës më kuptimplotë për të krishterët.
Tradita e përvitshme, u krye edhe në fier nga kisha katedrale e Shën Gjergjit e shoqëruar nga besimtarë të shumtë. Këtë vit kjo ceremoni shumë simbolike është paraprirë nga Banda Frymore e qytetit.
Top Channel