Tino Livramento, i afruar nga Chelsea në radhët e Southampton është duke zhvilluar një sezon shumë të mirë me Shenjtorët.
19-vjeçari ka dalluar dhe ka arritur të bëhet pjesë e formacionit të trajnerit Ralph Hassenhutl ndërsa së fundmi, Livramento ka ndarë mendimin e tij edhe për një tjetër lojtar vendimtar te Southampton, Armando Broja.
Mbrojtësi anësor thekson se nuk është surprizuar nga ajo që lojtari i kombëtares së Shqipërisë ka treguar në fushë ndërsa shton se Broja u tregua i zoti për të shfrytëzuar besimin që trajneri dhe stafi teknik i skuadrës i dhuroi.
“Unë e kam ditur shumë mirë se çfarë Broja mund të bëjë në fushë dhe jam i lumtur që është përshtatur më së miri. Kur Brojës i erdhi shansi ai e shfrytëzoi atë, ia doli të bënte më të mirën kur trajneri dhe stafi i besuan. Ka pasur shumë vazhdueshmëri prej momentit kur bëri debutimin, por unë them se Broja ka ende shumë për të treguar. Edhe vetë ai është shumë i vetëdijshëm se ka mundësinë për të bërë më mirë”, u shpreh Livramento.
Top Channel