Berisha thirrje DASH: Mos lejoni ambasadoren Yuri Kim të ndërhyjë në proceset gjyqësore dhe pavarësinë e drejtësisë në Shqipëri

22/04/2022 17:58

Ish-kryeministri Sali Berisha i ka bërë thirrje Departamentit Amerikan të Shtetit, të mos lejojë ndërhyrjet e ambasadores Yuri Kim në drejtësinë shqiptare.

Sipas Berishës, ambasadorja Kim pranoi se ka ndërhyrë në sistemin e drejtësisë shqiptare, fill pas denoncimit të tij.

Ai e akuzon diplomaten se ajo ka ndërhyrë në procesin e gjykimit të ankesës së paraqitur kundër vendimit të  Gjykatës së Tiranës për regjistrimin e Statutit të Kuvendit të 11 dhjetorit të vitit të kaluar.

Berisha pretendon se ambasadorja ka ndërhyrë duke kërkuar ndihmën e qeveritarëve të rëndësishëm të Partisë Socialiste.

Sali Berisha: Gjatë këtyre ditëve, në konferencat e mia për shtyp, sot paradite dhe të premten e shkuar, kam njoftuar mediat dhe publikun se Znj Kim, ambasadore e SHBA në Tiranë ka ndërhyrë në procesin e gjykimit të ankesës së paraqitur kundër vendimit të gjykatës së Tiranës për regjistrimin e Statutit të Kuvendit të 11 dhjetorit 2021, ankim i cili është në kundërshtim flagrant me kodin e procedurës civile dhe praktikën e gjykatave deri më sot. Për ndërhyrjen e saj për këtë çështje ajo ka kërkuar ndihmën e qeveritarëve të rëndësishëm të Partisë Socialiste. Sot fill pas denoncimit tim të kësaj ndërhyrje, ambasadorja Kim pranoi përmes një twitter se ka ndërhyrë në sistemin e drejtësisë. Duke e konsideruar këtë ndërhyrje një akt të rëndë dhe të papranueshëm shtoj se gjykatat prezumohen të janë të pavarura dhe çdo ndërhyrje pavarësisht makiazhit përbën cënim të hapur të kësaj pavarësie dhe dhunon ligjet e kushtetutën e vendit dhe parimet ndërkombëtare të drejtësisë të pavarur. Kur presioni dhe ndërhyrja vijnë nga diplomatë të huaj, përveçse shkelin e sovranitetin dhe ligjet e vendit ata shkelmojnë gjithashtu dhe konventat ndërkombëtare që ndalojnë rreptësisht kthimin e diplomateve në aktorë politikë. I bëj thirrje Departamentit të Shtetit të mos lejoje ndërhyrjet e palejueshme të ambasadores Kim në proceset gjyqësore dhe pavarësinë e drejtësisë në Shqipëri.

Në një konferencë për shtyp paraditen e sotme, Berisha  i bëri thirrje qeverisë amerikane që t’i kërkojë ambasadores Yuri Kim në Tiranë, që të ndalojë presionet në gjyq për procesin që lidhet me vulën e partisë, por edhe sulmet kundër tij. Në përgjigjen e saj, Kim tha se nëse ndërhyrja në procesin gjyqësor nënkupton inkurajimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve që të bëjnë punën e tyre, atëherë SHBA do ta vazhdojë.

Top Channel