$800 milionë/ SHBA dërgon në Ukrainë dronët e avancuar ‘kamikazë’ për të shtuar zjarrin e luftës (fotot)

22/04/2022 21:19

Paketa e fundit e armatimeve nga SHBA për Ukrainën do të përfshijë mbi 100 dronë të avancuar teknologjikisht në një vlerë rreth 800 milionë dollarë.

Armët e reja të dërguara atje quhet “Dron Phoenix” të cilët funksionojnë si mjete ajrore kamikaze, që do të shtojnë konsiderueshëm zjarrin e luftës, megjithse të gjitha palët pretendojnë të kërkojnë paqen.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë John Kirby tha se në paketë përfshihen 121 dronë të avancuar pa pilot të përmasave të ndryshme, mes të cilëve dhe mjete kamikaze të lëshuara me dorë.

Armët prodhohen nga grupi amerikan AEVEX në Kaliforni, i cili nuk jepte shumë detaje të modeleve dhe mënyrave të tyre të funksionimit.

Kirby shpjegoi se mes tyre ka dronë “një-përdorimësh” duke thënë: “Modelet janë zhvilluar me shpejtësi nga forcat tona ajrore për t’u përshtatur në mënyrë specifike me kërkesat për Ukrainën”.

Modeli Phoenix Ghost mund të godasë objektiva deri në 70 km larg.

Raportimet tregojnë se dronët më të vegjël janë të vështirë për t’u zbuluar dhe efektiv për lloje specifike luftimi.

Kirby tha më tej: “Ka kapacitete luftimi të ngjashme me modelin Switchblade por ka ndryshime në lidhje me përdorimin e Phoenix Ghost.”

Zyrtari refuzonte të komentonte nëse dronët ishin përdorur më parë në fushë-betejë, shkruan rrjeti UNILad

Kirby nuk tregoi as se cili është trajnimi i kërkuar për forcat ukrainase por tha se zyrtarët amerikanë po punojnë me forcat e armatosura atje.

FOTO GALERI
1/3
Paketa e fundit e armatimeve nga SHBA për Ukrainën do të përfshijë mbi 100 dronë të avancuar teknologjikisht

Top Channel