Senatorja amerikane: Mbështesim aspiratat për integrime euro-atlantike të Kosovës

21/04/2022 19:04

Senatorja amerikane, Jeanne Shaheen, anëtare e Komitetit të Shërbimeve të Armatosura në Senatin amerikan, u shprehu mbështetjen aspiratave të Kosovës për të qenë pjesë e NATO-s dhe e Bashkimit Evropian.

Ajo i bëri këto komente në Prishtinë, ku së bashku me senatorët Chris Murphy dhe Thom Tillis, po mbajnë takime me udhëheqësit e institucioneve të Kosovës.

Senatorët amerikanë po qëndrojnë në Kosovë pas vizitave në Serbi dhe Bosnje e Hercegovinë.

Senatorja Shaheen tha se vizita e tyre është mesazh i rëndësishëm për mbështetjen dypartiake të senatit amerikan për atë që po ndodh në Kosovë.

“Mezi presim të mbështesim aspiratën tuaj për të qenë pjesë e NATO-s. Senatori Tillis dhe unë jemi bashkëudhëheqës të grupit vëzhgues për NATO-s në Senat, kështu që ne punojmë shumë për të mbështetur përpjekjet në Kongresin e Shteteve të Bashkuara për të mbështetur atë që NATO-ja po bën dhe për të mbështetur aspiratën e vendeve si Kosova, që janë të interesuar për t’u anëtarësuar në NATO. Ne gjithashtu mbështesim aspiratën tuaj të vazhdueshme për të ecur përpara drejt Bashkimit Evropian dhe partneritetin tuaj me perëndimin”, tha ajo.

Senatorja Shaheen tha se është shumë e rëndësishme që të ruhet siguria e Kosovës dhe rajonit.

“Ne ndajmë shqetësimin për sigurinë në rajon. Një pjesë e arsyes për të vizituar kampin Bondsteel, ishte informimi nga forcat e KFOR-it dhe amerikanët që janë pjesë e asaj përpjekjeje, sepse ne pajtohemi se është shumë e rëndësishme për të mbrojtur sigurinë e Kosovës dhe të rajonit”, tha ajo duke nënvizuar se pret që të bashkëpunojë me autoritetet e Kosovës për sfidat e së ardhmes.

“Veçanërisht më këtë mjedis sigurie me të cilin po përballemi në Evropë me atë që po ndodh në Ukrainë dhe agresionin e paprovokuar rus. Ne nuk duam që kjo të ndodhë askund tjetër në Evropë dhe duam të shohim fundin sa më shpejt të jetë e mundur”, tha ajo.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se me senatorët amerikanë ka diskutuar për nevojën e mbrojtjes së vlerave demokratike të rajonit.

“Ka pasur dhe vazhdon të ketë një interesim serioz nga Rusia që ta destabilizojë kontinentin dhe rajonin tonë”, tha presidentja Osmani.

Të tre senatorët po qëndrojnë në rajon në kohën e agresionit rus në Ukrainë dhe shqetësimeve për ndikimet e konfliktit edhe në Ballkanin Perëndimor. Ata kanë theksuar se vizita e tyre në rajon ka për qëllim forcimin e lidhjeve në mes të Shteteve të Bashkuara me Ballkanin, përballë përpjekjeve të huaja për të dëmtuar paqen.

Gjatë vizitës në Serbi, senatori Murhy tha se është i zhgënjyer me mungesën e përparimit në procesin e bisedimeve Kosovë – Serbi, ndërsa i bëri thirrje Beogradit që të harmonizojë politiken e tij të Jashtme me Bashkimin Evropian./Voa

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA