Darka e iftarit për besimtarët myslimanë e shtruar mbrëmë nga Ambasada e Turqisë në Tiranë, bëri bashkë personalitete të politikës, diplomatë dhe përfaqësues të komuniteteve fetare.
Kryebashkiaku Erion Veliaj vlerësoi harmoninë mes besimeve në Shqipëri, dhe theksoi se mesazhi më i madh i profetit Muhamed ishte bashkimi, dhe jo përçarja.
“Siç thoshte Profeti Muhamed, bashkimi është mëshirë, kurse përçarja është denim. Është një nga thëniet me të mençura për të na udhëhequr në jetën tonë. Ne mund të vijmë nga kombe të ndryshme, mund të kemi besime të ndryshme, mund të jetojmë në situata të ndryshme, mund të bëjmë punë të ndryshme, por ama kur jemi bashkë, jemi të pamposhtur. Ndaj, jam shumë krenar që jemi bashkë me ambasadorin, mikun tim, Murat Yörük, ambasadorët e tjerë, ministra e deputetë të nderuar, përfaqësues të komuniteteve të tjera të besimit, si dhe të gjithë ata që i shërbejnë komunitetit tonë apo është thirrur të shërbejë diku,”- tha Veliaj
Nga ndihmat që Shqipëria ka marrë në momente të vështira si tërmeti dhe pandemia, Veliaj vecoi kontributin e Turqisë.
“Gjatë kohës së tërmetit dhe të pandemisë ne mësuam kush ishin miqtë e vërtetë. Me ambasadorin jemi takuar shpesh, një herë për kënd lodrash, një herë për një kopsht, një herë për një çerdhe, një herë për një shkollë, në Fier për një spital, në Laç për një qytet të ri, dhe unë besoj se të keqen e largojmë, jo duke sharë, por duke bërë një të mirë që na çliron prej saj. Ndaj, në emër të qyteti tonë ju falënderoj shumë për shërbimin që bën secili prej jush, qoftë në familje, në punë, në qytet”- tha Veliaj.
Top Channel