Kujtim Meta u qëllua me pistoletë me silenciator, të paqarta motivet e atentatit

21/04/2022 14:58

Kur kanë kaluar 24 orë pas breshërisë së plumbave të qitura nga pistoletë me silenciator të cilat lanë pas të plagosur rëndë 44-vjeçarin Kujtim Meta, policia ka në dorë vetëm gëzhojat.

44 vjeçari nga fshati Savër në Lushnjë ishte duke konsumuar kafen e pasdites në një nga lokalet e Lushnjës, kur drejt tij një person ende i paidentifikuar I maskuar me maskë anti Covid dhe kapele ka qëlluar 8 herë duke e plagosur në shpinë dhe në krah.

Pas atentatit, autori është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes dhe policia nuk ka rënë ende në gjurmët e tij.

Të paqarta për policinë janë edhe motivet e kësaj tentative vrasjeje. 44-vjeçari Kujtim Meta transportonte me kamion mbetje urbane dhe nuk ka precedent të mëparshëm kriminal dhe familjarët kanë dëshmuar se nuk ka konflikte me askënd. E vetmja indicie që policia ka është miqësia e objektivit të atentatit me Besnik Hidën, i cili u ekzekutua në një lokal duke pirë kafen e mëngjesit më 1 tetor 2019, ngjarje kjo ende pa autor.  Vrasja e Besnik Hidës dyshohet të jetë bërë nga të njëjtët atentatorë të vrasjes së nipit të tij Zamir Latifi më tetor të 2017.

Ndërsa ligji për masat shtesë të sigurisë publike ndikoi pozitivisht në zbardhjen e shumë ngjarjeve kriminale, sepse autorët filmoheshin nga kamerat e bizneseve dhe nëpërmjet tyre identifikoheshin, pandemia pati ndikim të kundër. Gjatë dy viteve është vërejtur se autorë të shumë veprave penale maskohen me maska anti Covid pa rënë në sy të askujt. Duke fshehur portretin me kapele e maska anti Covid policia ka shumë të vështirë identifikimin e tyre.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA