Milionerja britanike 69 vjeçare vritet me thikë nga nipi 17-vjeçar i varur nga marijuana (fotot)

20/04/2022 15:51

Një pronare e njohur restorantesh në Britani është qëlluar për vdekje nga nipi i saj që “ishte bërë i varur nga kanabisi”, u tha sot në gjyqin e tij.

69 vjeçarja Sue Addis, pronare e restoranteve të njohur Donatello’s e Pinoçhio’s në qytetin bregdetar të Brighton u sulmua për vdekje nga nipi 17 vjeçar Pietro teksa ishte në vaskë, në shtëpinë e saj me vlerë 1 milionë paundë.

Ajo ishte goditur 17 herë me thikë në sulmin brutal, dhe më pas ishte lënë të vdiste në vaskë, u dëgjua të thuhej në gjyq.

Më pas ai kishte thirrur numrin e emergjencës 999 duke thënë: “Po ju telefonoj për t’u dorëzuar, ka ndodhur një vrasje”.

Sot Pietro Addis, tashmë 19 vjeç, doli në gjyq për vrasjen e gjyshes së tij gjatë periudhës së izolimit të pandemisë, më 7 janar të vitit të shkuar.

Ai shihej i përlotur në bankën e të akuzuarve teksa lexoheshin detajet e vrasjes makabre. I riu jetonte fillimisht me babanë e tij Leo dhe njerkën gjatë izolimit në Brighton.

Ai studionte për t’u bërë kuzhinier në Brighton, dhe punonte në restorantet e familjes.

Por në muajt para vrasjes i riu kishte nisur të bëhej i varur nga tymosja e kanabisit dhe sjellja nisi të përkeqësohej deri sa nisi të mos paraqitej më për punë në restorantin e familjes.

Kjo kishte shkaktuar disa përplasje të ashpra me familjarët prandaj ata vendosën që të shkonte të jetonte me gjyshen në vilën e saj luksoze në Withdean, Brighton.

Zonja Addis ishte një figurë e respektuar në komunitetin e biznesit në Brighton pasi kishte hapur restorantet e saj të para Donatello’s e Pinocchio prej viteve 1980-të.

Tre djemtë e saj Leo, Stefano e Mikele punonin në restorantet e njohura bregdetare ku vinin shpesh emra të njohur të sportit e showbiz-it britanik.

Addis pranon akuzën e vrasjes nga pakujdesia por jo atë të vrasjes.

Gjyqi vazhdon.

FOTO GALERI
1/5
Një pronare e njohur restorantesh në Britani është qëlluar për vdekje nga nipi i saj që “ishte bërë i varur nga kanabisi”

Top Channel