Johnny Depp thotë në gjyqin e shpifjes se ‘martesa me Amber Heard ishte si të jetoja me nënën time abuzive’ (fotot)

20/04/2022 18:55

Gjyqi i shpifjes së aktorit amerikan Johnny Depp kundër ish-gruas Amber Heard vijonte sot me dëshminë e aktorit për urrejtjen dhe temperamentin posesiv të aktores, që dalëngadalë i kujtonte se në martesën me të, në vend që të gjente dashurinë ai po i rikthehej të gjitha traumave ekzistenciale të së kaluarës.

Depp madje hyri dhe në koncepte ‘frojdiane’ të mërkurën duke i thënë jurisë se të qenit çift me Heard ishte sikur “të shoqërohej me nënën e tij”.

“Dalëngadalë ti nis të kuptosh se në një farë mënyre je në një marrëdhënie me nënën tënde”, tha Depp duke iu referuar abuzimeve psikologjike të nënës së tij  kur ishte fëmijë, të ngjashme me abuzimin e pretenduar nga Heard gjatë marrëdhënies së tyre.

Depp tha se ish-gruaja gjente“dobësitë në jetën e tij” të cilat më pas ktheheshin në “municionin e saj” për ta shkatërruar me sulme verbale.

Aktori i tha sot jurisë se kishte qëndruar aq gjatë me ish-gruan e tij “abusive” pasi nuk dëshironte “të dështonte” dhe se trembej se ajo do të vriste veten.

“Unë doja ta bëja të funksiononte, dhe ndoshta mendoja se mund ta ndihmoja” , tha ai.

Depp iu referua gjithashtu një momenti që kishte përmendur një ditë më parë kur nëna e tij Betty Sue Palmer, tentoi vetëvrasjen kur e la babai John Christopher Depp, duke shtuar se kjo ngjarje kishte influencuar vendimet e tij.

“Zonja Heard ka folur në disa raste për vetëvrasje, dhe kjo u kthye në një faktor, në diçka që jetonte gjithmonë në një cep të truri tënd”, tha ai.

“Jam i sigurtë se kjo ka të bëjë me qëndrimin stoik të babait tim, i cili që do ta lejonte edhe sikur nëna ime ta rrihte për vdekje”, shtoi ai.

Johnny Depp nisi dëshminë e sotme duke thënë se kritikat e pandalura të gruas së tij Amber Heard tregonin se ajo kishte “urrejtje të pastër ndaj tij”.

“Teksa përshkallëzohej e përshkallëzohej, unë rikthehesha te ato që kisha mësuar kur isha i vogël, pra duke larguar veten time mendërisht nga situata që ajo të mos vazhdonte”, tha ai duke iu referuar fëmijerisë abuzive për të cilën kishte folur gjatë në seancën e të martës.

Me kostumin e tij gri dhe flokët e kapur bisht, Depp vijonte të portretizonte veten si njeriun e butë të shënuar nga traumat psikologjike, që ishte viktima e marrëdhënies toksike të pesë viteve me Heard.

Ndërsa Heard, me kostum ngjyrë kremi, dukej e shqetësuar sot teksa dëgjonte dëshminë të mërkurën, në një njëfarë ndryshimi nga postura e ftohtë neutrale që kishte mbajtur deri tani në gjykatë.

FOTO GALERI
1/8
Gjyqi vijonte sot me dëshminë e aktorit për urrejtjen dhe temperamentin posesiv të aktores

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA