Bujqësia në Shqipëri po kalon një krizë të thellë prej vitesh. Për të pestin vit radhazi, një pjesë e konsiderueshme e serave po përballen me humbje kolosale.

Rritja e çmimeve të imputeve, plehërave kimike, farërave si dhe mungesa e politikave stimuluese, kanë bërë që këtë vit të mbillen 20% më pak sera. Pra, fermerët nuk kanë mundur të blejnë as fidanët dhe serat po braktisen. Investimi po shkon dëm.

Siç është edhe ky rast në fshatin Goriçan, të njësissë administrative Kutalli të bashkisë Berat. Pasi e punuan për 5 vite me radhë, anëtarët e kësaj familje që investuan në këtë sipërfaqe gjithë mundin e dy dekadave emigracion, e braktisën përfundmisht një vit më parë, duke marrë me vete edhe një mal me borxhe. Borxhet më të shumta janë pranë pikave që shesin plehërues dhe pranë fidanishteve.

Sera e braktisur ka një sipërfaqe prej 2.5 dylymësh, ndërkohë që ngjitur me të është braktisur edhe një tjetër serë prej 4 dylymësh. Pak më tutje edhe një tjetër serë është braktisur.
“Erdhën me riminatanca me dhjetra mijëra euro të kursyera në emigracion, erdhën të pajisur me dije dhe teknologji pasi kanë punuar në sera në Siçili apo Greqi, erdhën morën kredi me interesa shumë të larta, 15-20-25 %, punuan 4-5 vjet dhe sot u detyruan ta braktisin dhe të kthehen sërish në emigracion, por me një kosto shumë më ta lartë pasi duhet ta nisin prapë nga e para, por edhe me borxhe” u shpreh Eduart Sharka, Kreu i Sindikatës së Fermerëve
Familjes që braktisi serën në atdhe nuk i dilte fitimi. Kurse në Itali, arrijnë të kenë të ardhura të mira edhe duke qenë punëtor po në bujqësi.

“Pasi ka dështuar dy sezoni, ka ngelur borxh në pikat e imputeve dhe është rikthyer prapë në Itali në emigracion. Aktualisht punojnë atje sërish në bujqësi me 50 euro dita, por që paguajnë qiratë dhe borxhet e krijuara në Shqipëri, ndërkohë që këtu ishin në tokën e tyre” u shpreh Eduart Sharka, Kreu i Sindikatës së Fermerëve

“INSIDE STORY” mundi të identifikojë me dhjetra sera të braktisura gjatë monitormit në terren. Kjo duket të jetë pasojë e kostove të larta.

“Ne kemi deklaruar, në bazë të dhënave nga fidanishtet se 20 % e serave nuk janë kultivuar. Këtu po ti masësh e kalon atë përqindje, në këtë bllok që 40% e serave nuk janë kultivuar” u shpreh Eduart Sharka, Kreu i Sindikatës së Fermerëve

Top Channel