Familja e Dashamir Çelës, e nis punën në fshatin Samaticë të bashkisë Dimal, në orën 4 të mëgjesit për ta lënë vetëm në orët e vona të mbremjes.

Ai u kthye nga Hollanda disa vite më parë dhe me lekët e kursyera hapi këtë fermë familjare, e cila aktualisht është kthyer në një gropë të zezë për të. Të gjithë kursimet familjare janë zhdukur, por ata nuk kanë mundur as të plotësojnë nevojat.
“Unë çohem çdo ditë ë orën 4 pa 10 të mëngjesit, punoj çdo ditë pa pushim dhe në fund fare nuk më mbetet asgjë për fëmijët. Si blej dot një palë atlete fëmijëve” u shpreh fermeri, Dashamir Çela
Kësaj familje i është vënë në diskutim jo vetëm mbijetesa, por edhe mundësia për të ikur sërish jashtë vendit.
“Mua nuk më mbetet gjë tjetër veçse ta mbyll dhe të iki jashtë. Jam përpjekur shumë, por tani po dorëzohem. Ka shumë kosto” u shpreh fermeri, Dashamir Çela
Çmimi I drithit për kafshët është rritur me 100 % krahasuar me 1 vit më parë. Si pasojë e rritjes në tërësi të çmimeve të imputeve bujqësore, naftës dhe produkteve të tjera që shkojnë për blegtorinë, Dashamiri ka filluar dhe e redukton ushqimin që u jep lopëve. Por, kjo ndikon te prodhimi.
“Shikoni se çfarë ushqimi i jap lopës, këtë kashtën këtu. Dhe si pasojë ajo nuk më jep qumësht” u shpreh fermeri, Dashamir Çela
Dashamiri tregon se njëjtë si ai janë edhe dhjetra të tjerë në këtë zonë që po i braktisin fermat e tyre. Tregues është edhe sasia e qumështit që përpunohet në fabrikën që ndodhet në këtë zonë. Aktualisht ajo përpunon 450 ton qumësht në ditë, nga 800-1000 ton që është kapaciteti.
Si për ironi, ai u ndëshkua nga një lejë ndërtimi për një stallë nga bashkia Dimal, duke I djegur një fond për 250 mijë euro që e përfitoi nga progromi IPARD. Pasi shpenzoi 10 mijë euro për përgatitjen e dokumentacionit dhe dosjen e aplikimit, IPARD e shpalli fitues, por bashkia i refuzoi lejen, duke ia djegur fondet, që do ta rimëkëmbnin vazhdimësinë e kësaj ferme.
“Shpenzova gjithë ato lekë, aplikova për leje, pasi doja ta ndërtoja pak më moderne se kjo që kam, por pasi u shpall fitues bashkia Dimal ma refuzoi lejen me pretendimin se duhet të ndërtohet 500 metra larg zonës së banuar. Po ku kemi mundësi ne këtu të ndërtojmë 500 metra larg zonës së banuar, pasi këtu të gjithë jemi ngjit e ngjit” u shpreh fermeri, Dashamir Çela.

Top Channel