Dhjetra fermerë që “Inside Story” intervistoi në terren e konsiderojnë skemën mbështetëse lëmoshë që shpërndahet në mënyrë diskriminuese.

Skema kombëtare e 2018-ës, ishte më e plotë dhe ofronte 52 kategori mbështeje, duke përfshirë edhe rimbursim prej 100 lekësh për çdo kg qumësht të dorëzuar. Por, nuk u panë rezultate konkrete duke ngritur pikëpyetje mbi implementimin dhe shpërndarjen.
Xhevat Kurti, nga fshati Vidhas në Lushnje, pasi ka punuar 46 vite mësues, ia ka kushtuar të gjithë jetën e vet ngritjes së kësaj ferme modeste familjare.
Me shumë sakrifica dhe përpjekje ai arriti që para tre vitesh ta çonte në 25 numrin e lopëve që mbarështonte, por kriza që ka mbërthyer vendin po e çon drejt falimentit. I lënë pa mbështetje dhe i ekspozuar ndaj rreziqeve që sjell ky sektor i parregulluar, këtë vit e ka të pamundur të mbajë më viçat, për të shtuar tufën, duke e çuar drejt zhdukjes atë.
“Unë me shumë sakrificë e kam çuar deri këtu, me 25 krerë. Tani rrezikoj ta mbyll, pasi nuk mund ta përballoj dotë” u shpreh fermeri, Xhevat Kurti
Kostot e sektorit janë rritur në nivele të papërballueshme për fermerët, sidomos ata më të vegjlit. Mjafton këtu të përmendim që për një dylym tokë kostot për kultivim janë dyfishuar si pasojë e rritjes së çmimeve të imputeve. Ndërkohë, çmimi i një litri qumësht nga ferma nuk del më tepër se 50 lekë.
“Nuk mundem ti mbaj sepse çdo gjë është rritur shumë. Ja të ti llogaris unë, nëse më parë toka do të më donte që për të gjitha të harxhoja 165 mijë lekë të vjetra, tani do thuajse 100 mijë lekë më shumë. Por nuk i mbaj dot në këto kushte” u shpreh fermeri, Xhevat Kurti.
Sa është kostoja e një kg qumësht? Ekseprtët kanë përllogaritur se një lopë konsumon në ditë mesatarisht rreth 1.687 lekë për ushqim apo nevoja të tjera. Lopa prodhon 25-30 litra qumësht për të njëjtën kohë që tregtohet me 50 lekë të reja maksimumi. Pra, sipas llogarisë fermeri jo vetëm që nuk fiton, por humbet 100 lekë në ditë. Por nëse ferma e Xhevatit ka 25 lopë, atëherë ai humbet 2.500 lekë çdo ditë. Ose thënë ndryshe, ai e mbyll muajin me 75 mijë lekë të reja humbje.
Në këtë fermë të vogël është punësuar e gjithë familja, Xhevati me bashkëshorten, të dy pensionistë dhe djali së bashku me nusen e tij, nuk llogariten orët e gjata apo krahu i punës së familjes.
Pasi njohu një trend rritës përgjatë viteve 2000, në vitin 2018 ky sector kyç, që lidhet edhe me sigurinë kombëtare, u përfshi nga një krizë e cila aktualisht rrezikon të çojë drejt falimentit një pjesë të konsiderueshme të tyre.

Top Channel