Me një mesazh televiziv drejtuar popullit grek mbrëmjen e së mërkurës kryeministri Kyriakos Mitsotakis ka deklaruar rritjen e pagës minimale me 7.7% .

Ai ka njoftuar rritjen me 50 euro të saj nga data 1 maj e këtij viti, duke e çuar atë nga 663 euro, në 713 euro bruto.

Është hera e dytë që Greqia ndryshon pagën minimale ,pas rritjes së saj me 2% në janarin e këtij viti.

Është një shumë e cila, në kombinim me rritjen e parë të janarit, është ekuivalente me një rritje të përgjithshme prej 9.7% krahasuar me pagën minimale të vitit 2021. E thënë thjesht, gati 650,000 punonjësit e kësaj kategorie do të përfitojnë më shumë se një pagë neto shtesë në vit. Një pagë e 15-të i shtohet tani e tutje të ardhurave të tyre.

Rritja e dytë e pagës minimale vjen në një periudhë kritikash ndaj qeverisë Mitsotakis, pasi shumica e qytetarëve po përballojnë një valë të paparë rritjesh së çmimeve të gazit të ngrohjes, karburanteve , artikujve ushqimorë dhe sidomos faturave të energjisë elektrike. Në ditët e fundit sipas të dhënave të Hartës Evropiane të Çmimeve të Energjisë Elektrike Greqia ble më shtrenjtë se çdo shtet në Europë energjinë elektrike dhe partitë opozitare kritikojnë gjithmonë e më shpesh qeverinë Mitsotakis për paaftësinë e saj në përballimin e kësaj situate që ka sjellë edhe inflacionin më të madh të tre dekadave të fundit.

Sipas kryeministrit grek pagat, me të vërtetë, janë ende shumë të ulëta në vend pasi plagët e krizës financiare dhjetëvjeçare nuk janë shëruar dhe shpërthimi global i inflacionit po godet së pari të keqpaguarit dhe të papunët.

Tani është radha për të rritur të ardhurat më të ulëta dhe këtë po bëjmë . Me një lëvizje të kërkuar nga situata. Që punonjësit e meritojnë. Dhe që kompanitë mund ta përballojnë atë. Sepse ky ndryshim i rëndësishëm i pagës bazë e rrit edhe asistencën sociale me 31 euro çdo muaj.

Ndërsa Mitsotakis ka theksuar se papunësia në 33 muajt e qeverisjes së tij ka rënë me 5% ,megjithë krizën e pandemisë dhe tani luftën në Ukrainë, në reagimin e parë të saj partia opozitare Syriza që tashmë po i afrohet Demokracisë së Re në sondazhe, ka deklaruar se njoftimi i sotëm i qeverisë është rezultat i presionit social, që nuk e ndryshon ngërçin ku ndodhet dhe shumë shpejt qytetarët do ti dërgojnë faturën kryeministrit dhe partisë së tij.

Top Channel