Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në bashkëbisedimin me gazetarët iu përgjigj pyetjes nëse do ta merrte në konsideratë një ftesë të mundshme për t’u bërë Presidenti i ri i Republikës.
Gazetarja e Top Channel e pyeti Celibashin, se nëse emri i tij do të propozohej për President, a do e linte drejtimin e KQZ-së për drejtimin e shtetit.
Kryekomisioneri tha se e dëgjon për herë të parë një koment të tillë dhe shtoi se për momentin nuk e ka një ambicie të tillë.
“Duhet të ndihesha i përkëdhelur tani nga kjo që dëgjova por nuk ndihem. Është diçka që nuk e konsideroj serioze, nuk e kam ambicie”, tha Celibashi.
Mandati i presidentit Ilir Meta mbaron në 24 korrik. Partia Socialiste ka njoftuar se sot do të nisi bisedimet me grupet parlamentare për të dëgjuar propozimet e secilit. Një ditë më parë, deputetët e Grupit Parlamentar të PS-së dorëzuan zarfet me tre emra që secili sheh si kandidat të përshtatshëm për President, ndërsa ftuan dhe qytetarët të japin propozimet e tyre në adresën elektronike të PS-së.
Top Channel