Ukraina ka hedhur poshtë akuzat e bëra nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiç se shërbimi sekret i Ukrainës është mbrapa një serie të kërcënimeve mashtruese me bomba kundër fluturimeve të kompanisë Air Serbia për në Rusi.
Vuçiç pretendon se shërbimet e jashtme të inteligjencës në Ukrainë dhe në një shtet të paidentifikuar të Bashkimit Evropian janë mbrapa kërcënimeve.
“Deklaratat e Vuçiç për përfshirjet e dyshuara të Ukrainës në kërcënime me bomba ndaj aeroplanëve serbë që udhëtojnë në Rusi, nuk janë të vërteta”, ka thënë zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme ukrainase, Oleg Nikolenko përmes një deklarate.
Zyrtarë tjerë serbë kanë pretenduar se kërcënimet janë bërë nga Ukraina apo Polonia.
Kompania serbe është e vetmja në Evropë që nuk u është bashkuar sanksioneve të Bashkimit Evropian për fluturimet nga dhe drejt Rusisë, prej shpërthimit të luftës në Ukrainë.
Disa fluturime të planifikuara për në Moskë dhe Shën Petersburg janë vonuar apo anuluar, pasi ka pasur kërcënime anonime për bomba.
Vuçiç ka thënë se ndonëse fluturimet drejt Rusisë do të vazhdojnë të realizohen “për shkak të parimeve tona”, raporton REL.
Serbia ka votuar për miratimin e tri rezolutave në Kombeve të Bashkuara për të dënuar luftën e Rusisë kundër Ukrainës, mirëpo ky shtet nuk u është bashkuar sanksioneve ndërkombëtare kundër Moskës.
Ministria e Jashtme ukrainase ka shprehur zhgënjim që Serbia, vend kandidat për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, nuk mbështet ende sanksionet e bllokut evropian kundër Rusisë.
Top Channel