Sot hapen zarfet, deputetët e mazhorancës japin tre propozimet për Presidentin e ri

19/04/2022 09:29

Deputetët e mazhorancës do të dorëzojnë sot zarfet me tre emrat që ata propozojnë për emrin e ri të Presidentit të Republikës.

Në mbledhjen e sotme të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, çdo deputet do të ketë mundësinë të dorëzojë jo më shumë se tre emra për Presidentin e Ri.

Në një zarf çdo deputet përmes një formulari do ketë mundësi të propozojë jo me shumë se tre kandidatë, qofshin zonja apo zotërinj. Për ne ka rëndësi të jetë proces konsultimi brenda grupit. Nesër deputetët do i depozitojnë në një sekretari të posaçme më pas do kemi mundësi të vlerësojmë propozimet brenda grupit”, u shpreh një ditë më parë kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, në një deklaratë për mediet.

Krahas zarfeve me tre propozime të deputetëve socialist që do të administrohen e hapen këtë të martë, në këtë proces shumica e Edi Ramës, fton për herë të parë qytetarët të dërgojnë propozimet e tyre përmes postës elektronike, sikurse do të dëgjohet në një takim të posaçëm edhe shoqëria civile. Shpresa që zëri i tyre të dëgjohet, më shumë se nga cilësia e internetit, do të varet nga vullneti i kryeministrit në ditën kur do të lexojë (nëse do të lexojë!) propozimet e tyre.

Më pas, të mërkurën, Balla tha se do të nisin bisedimet me grupet parlamentare.

Mandati i Presidentit Ilir Meta përfundon më 24 Korrik 2022. Procesin për zgjidhjen e Presidentit të ri po e udhëheq shumica e Edi Ramës përmes negociatorëve Balla, Gjiknuri e Spiropali.

 

Top Channel