Misioni i prokurorisë është t’i shërbejë publikut duke proceduar me përgjegjësi, në mënyrë të paanshme dhe objektive, të mbrojë të drejtat e individit, por në rastin konkret nuk ndodh kështu.
Fiks Fare denoncoi veprimet e prokurorisë e cila pa marrë parasysh të gjitha provat pushon çështjen dhe fajëson viktimën. Madje provat as nuk janë në dosjen përfundimtare duke u justifikuar se kanë humbur.
Marjeta Xhimaku ankohet në emisionin Fiks Fare për një aksident që i ka ndodhur nënës së saj 68 vjecare në lagjen Ali Demi, aksident që i mori dhe jetën. Ajo tregon se aso kohe nuk u morën me personin që shkaktoi aksidentin pasi menduan se organet do bënin punën e tyre dhe personi do shpallej fajtor. Në dijeni që kjo gjë nuk ndodhi u vunë vetëm kur prokuroria kërkoi në gjykatë pushimin e çështjes duke nxjerr fajtore viktimën.
Familjarët ‘të vrarë’ për të dytën herë kanë kërkuar në prokurori dosjen. ” Pamë që kishte shumë mungesa, në dosje ishin vetëm pamjet e njërëz bankë dhe jo të tjetrës që kishte shikkim më të qartë mbi aksidentin e ndodhur” tregon Marjeta. Në këto momente ajo pohon se kishin filluar të dyshonin mbi çfarë kishte ndodhur në të vërtet, pasi personin që kishte kryer aksidentin kjo nuk ishte hera e parë. Ai ka aksidentuar edhe një tjetër grua me pasojë vdekje, pothuajse në të njëjtin vend. E pamundur për të gjetur përkrahje në institucionin që duhet ta mbështeste, prokurorinë, ajo i drejtohet Fiks Fare për të vënë drejtësinë në vend.
Fiks Fare siguroi dosjen e aksidentit të viktimës, duke analizuar aktet e ekspertimit si dhe pamjet filmike. Në aktin e parë të ekspertimit kryer nga një ekspert i vetëm thuhet qartë se drejtuesi i motorit ka shkelur rregullat e qarkullimit rrugor duke mos kontrolluar shpejtësinë në zonat e banuara, por që shpejtësia nuk mund të matej. Ndërkohë drejtuesi i motorit që shkaktoi aksidentin në deklaratën e tij pohon se ka qenë ndaluar dhe e moshuara është përplasur me të, si pasojë ka gjetur edhe vdekjen. Kështu edhe pse eksperti ka shkruar se janë shkelur rregullat e qarkullimit rrugorë, fajtore ka nxjerr viktimën, me motivin se nuk ka kaluar tek vijat e bardha.
Plus ato që janë shkruar në këtë dosje bien në kontradiktë me njëra-tjetrën. Tek këqyrja e vendngjarjes thuhet se u gjetën gjurmë frenimi dhe copa xhamash, por vetëm pak rreshta më poshtë thuhet se nuk u gjet asnjë gjurmë.
Nga pamjet filmike që Fiksi siguroi të aksidentit të njërës bankë, pamje që ndodhen edhe në dosje, shihet se motori nuk ka qenë në korsinë e tij dhe nuk ka frenuar më përpara siç shkruhet në procesverbal, por ka shkuar e ka përplasur të moshuarën. Pra nuk ka qenë e moshuara që është përplasur me mottorin , por ky i fundit ka përplasur viktimën. Gjithashtu në këto filmime që janë në dosjen e prokurorisë e cila ka kërkuar pushimin e çështjes shihet qartë sesi është prishur vendngjarja. Motorri që kreu aksidentin është lëvizur nga vendi i ngjarjes, dhe janë larë njollat e gjakut mbi asfalt. Por për ekspertët prapë nuk përbën shkelje, ata shkruajnë në dosje se kanë kqyrur pamjet e të dyja bankave, por që në të vërtet nuk rezulton kështu. Familjarët në dosje kanë gjetur vetëm pamjet filmike të njërës bankë dhe vetë OPGj-ja, Kastriot Canaj ju ka konfirmuar se pamjet e bankës tjetër kanë humbur në sekretarinë e prokurorisë dhe sipas tij kjo ndodh shpesh.
Të kontaktuar nga familjarët dy ekspertë Lekë Gjoni dhe Arqile Lipe pranojnë se kanë parë pamjet filmike vetëm të njërës bankë, por që në dosje kanë shkruar se kanë parë kamerat e të dy bankave.
Pas përpjekjeve të shumta të familjarëve të viktimës njëri nga ekspertët u çon një frekuencë të kamerës tjetër që nuk ndodhet në dosje duke ju pohuar se ia ka dërguar oficeri policisë gjyqësore. Duke rikonfirmuar kështu se kur kanë bërë aktin nuk e kanë parë kamerën tjetër dhe pse kanë shkruar se i kanë parë kamerat e dy bankave.
Fiks Fare iu drejtua për një mendim më profesional Kryetarit të Shoqatës së Ekspertëve në Ndihmë të Aksidentuarëve, z. Gëzim Hoxha, i cili thotë se duke parë kamerat kuptohet qartë se fajtori i shkaktimit të aksidentit është drejtuesi i motorrit.
Top Channel