Deputeti socialist Orlando Raki djali i ish-deputetit të PDIU-së Aqif Rakipi i sanksionuar nga qeveria amerikane, u shfaq i qetë duke dëgjuar kryetarin e partisë së tij Edi Rama pak metra më larg.

Qetësisht duke buzëqeshur,  ai me pas dha kontributin e tij modest politik mbi të ardhmen e vendit.

Ndryshe nga sa ishte premtuar nga Taulant Balla, Grupi parlamentar socialist nuk mori të martën asnjë vendim që mund të cënonte karrierën politike të Rakipit xhunior për shkak të vendimit amerikan për Rakipin senior.

Sanksionimi amerikan i 11 prillit zyrtarisht nuk prek direkt deputetin Ornaldo Rakipi.

Por heshtja e familjes politike të deputetit 27 vjeçar për të mos cënuar vijimin e Ornaldos së qëndruari  në karrigen e deputetit apo karrierën e sapo nisur politike, i vë socialistët në pozitë të vështirë përballë opinionit publik.

Socialistët mbajtën vetëm premtimin se këtë të martë do mblidheshin, por nuk morën asnjë vendim.

Çështja e deputetit Rakipi në mbledhjen e grupit parlamentar socialist u trajtua si diçka periferike në fund të mbledhjes megjithëse Taulant Balla deklaroi një ditë më parë se grupi parlamentar do të dilte me një qëndrim.

PS nuk bëri asnjë koment për mos marrjen e asnjë mase përballë kësaj situate kur një deputet i saj tashmë është në listën e të sanksionuarve prej SHBA.

Kryetari grupit parlamentar socialist ndau me median atë që ai ngulmoi ta quante vetëm qëndrimin e tij personal.

Taulant Balla: Nëse ka diçka që ne si familje politike dallohemi nga të tjerët është se kurrë nuk kemi përdorur standarde të dyfishta. Qëndrimi ynë është i njëjtë gjithmonë dhe ne i respektojmë vendimet e Shtetet e Bashkuara, aleatit tonë strategjik.

Por aleati strategjik, pra Shtetet e Bashkuara ishin të qartë në rastin Rakipi, ashtu si në precedentët e mëparshëm, Doshi dhe Dako. Në të dyja rastet, Edi Rama deklaroi se nuk do të bënte aleancë me PSD, ndërsa u detyrua të përjashtonte ish kryetarin e bashkisë së Durrësit nga radhët e Partisë Socialiste. Departamenti i thesarit sanksionoi ish deputetin Aqif Rakipi, një bashkëpunëtor politik me mazhorancën socialiste me akuzën për lidhje me grupe kriminale dhe me ndikim politik dhe se ka ndikuar për të emëruar persona në Elbasan dhe Tiranë.

Në zgjedhjet e fundit parlamentare, djali i tij por edhe dhëndri i të vëllait kandiduan dhe u zgjodhën deputetë nën siglën e Partisë Socialiste.

Populli thotë heshtja është miratim. Presidenti Bamir  Topi futi konceptin e të folurës me heshtje.

Tani na duhet të presim se cili është koncepti i ri i heshtjes, qe mbizotëroi të martën grupin socialist, që vendosi të mbajë në radhët e tij, të birin e ish mikut te sanksionuar nga ata që taulant balla, i quan aleatët strategjikë të shqiptarëve.

Top Channel