Superkupa e Spanjës në Arabi, skandal për Pique dhe presidentin e Federatës spanjolle!

18/04/2022 20:20

Një skandal i dimensioneve të mëdha rrezikon të trondisë RFEF, Federatën Spanjolle të Futbollit.

E përditëshmja El Confidencial ka siguruar aksesin në dokumente që i përkasin Federatës të udhëhequr nga Luis Rubiales që zbulojnë akordin mes tij dhe Gerard Pique, nëpërmjet kompanisë në pronësi të mbrojtësit të Barcelonës dhe që organizon dhe Kupën Davis në tenis, me lojtarin e Barcelonës që është njëkohësisht edhe pronar i Andorra-s, klub që militon në kategorinë e tretë spanjolle. Akordi mes Presidentit të Federatës dhe Pique ka të bëjë me transferimin e Superkupës së Spanjës në Arabinë Saudite, biznes ky i shoqëruar nga komisione prej miliona eurosh.

El Confidencial ka materiale audio, e-maile dhe dokumenta që i lënë pak vend imagjinëtës. Javën e kaluar federata spanjolle kishte paralajmëruar se i kishin rrjedhur materiale konfidenciale, dhe që një gazetë i kishte kontaktuar duke ju bërë të ditur se kishte materialin në fjalë dhe do e publikonte, siç edhe ndodhi. Publikimet do të vazhdojnë dhe në javën që çon drejt finales së Copa del Rey të organizuar nga Federata, pozicioni i Rubiales është seriozisht në rrezik.

Materialet faktojnë se në fund të 2018-tës Pique i propozon Rubiales të zgjerojë Superkupën e Spanjës me 4 skuadra, dy të parat e La Ligas dhe dy finalistet e Copa del Rey, për të përfituar një kontratë televizive më të mirë. Rubiales pranon dhe nis kërkimi i stadiumit, fillimisht në Spanjë, por Pique i jep menjëherë të kuptojë se me kontaktet e tij mund ta çojë turneun në Arabinë Saudite.

Fillimisht mendojnë për Bernabeun, por Reali i Madridit ju thotë jo. Nga Reali gjithashtu ju bëjnë të ditur se do të preferojnë të shkojnë drejt perëndimit dhe jo drejt Lindjes nëse turneu zhvendoset jashtë territorit spanjoll, dhe se nuk do të lëvizin për më pak se 8 milionë euro. Më pas përcaktohen dhe shifrat, nga 8 milionë euro për Realin dhe Barcelonën, 2 për Atletikon e Madridit dhe 1 për Valencian.

Ndërkohë 4 milionë euro i jepen Kosmos, kompanisë së Pique për secilin nga 6 vitet në të cilët turneu do të luhej në Arabinë Saudite. Këto detaje dalin në dritë nga një mesazh audio që i është dërguar nga Pique presidentit të Federatës Rubiales që po bën tanimë xhiron e internetit.

Për Federatën do të shkonin minimumi 6 milionë euro për çdo vit, dhe ky është një detaj me rëndësi pasi kontrata e Rubiales parashikon një pagë fikse si dhe një pjesë tjetër që është në varësi të të ardhurave të Federatës Spanjolle, pra kështu mund të shumëfishonte pagën e tij.

Në gushtin e 2019 akordi ishte gati, por vihet në rrezik pasi Rubiales kishte frikë nga pasojat etike që mund të kishte zhvendosja e kompeticionet në Arabinë Saudite një vend ku është në fuqi ende dënimi me vdekje, dhe është nën akuzë për diskriminimin e femrave. Pique e bind Presidentin se tanimë do të ishte edhe më keq nëse do të tërhiqej dhe kështu palët ecin përpara deri në hedhjen e firmave, me Rubiales që i çon një mesazh triumfues lojtarit të Barcelonës.

Më pas Presidenti ndërhyn për të zhbllokuar pagesën për Kozmos, ndërkohë që gjithmonë në verën e 2019, Andorras i dorëzohet një vend në Segunda B, që ishte lënë vakant nga Reus. Kështu skuadra në pronësi të Pique kalon menjëherë nga kategoria e pestë në të tretën, duke kapërcyer dy shkallë njëherazi.

Sipas asaj që zbulon El Confidencial, federata mbylli një kontratë prej 40 milionë eurosh në sezon, shumë më tepër se 25 milionë eurot që ishin cituar fillimisht, diçka që pati një efekt të rëndësishëm duke shumëfishuar pagën e Presidentit, të cilit tani i duhet të ofrojë versionin e tij për t’u mbrojtur nga akuza të rënda, ndërkohë që i duhet të presë edhe publikimin e dokumenteve të tjera.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA