“Në luftë”, nga Kosova/ Në Prishtinë vendoset e para gazetare ukrainase që do raportojë për luftën

18/04/2022 19:50

Lyudmila Makey është gazetarja e parë Ukrainase që u largua nga zona e luftës për të ardhur në Kosovë.

Ajo la prapa familjen për të vazhduar punën nga një vend më i sigurt.

“Kur kam dëgjuar herën e parë për Kosovën më është dukë interesant të vij e të shoh si është jeta në Kosovë. Unë kam çdo gjë që më duhet për punë, telefon, kompjuter, internet për të biseduar me kolegët e për të treguar atë se çka dua. Më besoni se jo të gjithë kolegët e mi e kanë këtë mundësi, sidomos jo ata që gjenden në territorin që është nën kontrollin rus.”- tha Lyudmila Makey.

Makey tha se u detyrua të largohej nga vendlindja, meqë edhe gazetarët janë target i agresorit rus.

“Që nga fillimi i luftës më shumë se 21 gazetarë kanë vdekur në duart e pushtuesve rusë, jo vetëm ukrainas, por edhe lituanezë, amerikanë, irlandezë dhe të tjerë. Më shumë se 25 kolegë të mi janë zhdukur në Mariupol, nuk dihet asgjë për fatin e tyre.”- tha Lyudmila Makey

Gazetarja ukrainase thotë që pret edhe gazetarë të tjerë të vijnë e të përcjellin të vërtetën mbi luftën në Ukrainë, pa rrezikun se një ditë mund të vdesin.

Lydumila Makey është gazetarja e parë që erdhi në Kosovë si pjesë e programit “Gazetarët në rezidencë” të Qendrës Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias. Në procedura të verifikimit për të ardhur në Kosovë janë edhe tre gazetarë të tjerë ukrainas.

Kosova në bashkëpunim me Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës, ECPMF-në dhe Federatën Evropiane të Gazetarëve, pret 20 gazetarë ukrainas, duke ua mundësuar edhe kushtet e punës dhe të jetesës.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA