Cristiano Ronaldo vazhdon të dhurojë spektakël dhe të bëjë diferencën. Mosha nuk ka ndonjë rëndësi të madhe për legjendën portugeze, ndërsa golat po.
37-vjeçari shënoi tre herë ndaj Norwich të dielën, duke i dhënë Manchester United tre pikët falë suksesit 3-2.
Kjo ishte tripleta numër 50 me klube dhe e 60-ta në karrierën e jashtëzakonshme të golashënuesit më të mirë në historinë e futbollit. E para u regjistrua në vitin 2008 ndaj Newcastle, gjithmonë me fanellën e United.
“Ronaldo ishte shumë vendimtar. Nuk ishin aspak të thjeshtë golat që shënoi, ai u tregua thjesht i shkëlqyer”, deklaroi trajneri Rangnick pas ndeshjes, ndërkohë që United vazhdon të jetë në garë për një biletë në Champions League.
Me golat e realizuar ndaj skuadrës së Milot Rashicës, pesë herë fituesi i “Topit të Artë” ka siguruar edhe… 1 milion euro! The Sun zbulon klauzolën e veçantë të sulmuesit me “Djajtë e Kuq”.
CR7 është ngjitur në shifrën e 21 golave sezonalë mes kampionatit dhe Champions League. Nga sa mësohet, goleadori do të përfitojë 750 mijë paund për tejkalimin e 20 golave sezonalë.
Jo vetëm kaq, pasi një trigolësh sjell 100 mijë paund të tjera, me një total fitimesh prej 850 mijë paund, ndryshe rreth 1 milion euro shtesë në llogari vetëm falë një ndeshje të vetme./ Supersport
Top Channel